Lajme

Gjermania pezullon katër projekte në Republika Sërpska

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Qeveria e Gjermanisë nuk është më në pozitë të financojë katër projektet strategjike në entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, kjo si shkak i politikave separatiste të Milorad Dodik.

“Është me rëndësi për ne të dërgojmë një sinjal të provokuar nga politikat separatiste të Dodikut. Nuk e shohim veten në pozitë për t’i vazhduar këto katër projekte strategjike. Duhet t’i pezullojmë ato. Mendoj se është keq kur nuk diskutohen masat e tilla. Kjo është arsyeja pse po i pezullojmë projektet. Duhet të kuptoni se taksapaguesit gjermanë presin se do të jenë të sigurtë kur Gjermania futet në projekte të tilla”, tha ai.

Në vizitën e tij në Bosnjë-Hercegovinë, ku pritet të takohet me Dodikun, Sarrazin ka thënë se Gjermania do të vazhdojë të mbetet aktive, raporton N1, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit nga Ambasada e Gjermanisë në Bosnjë-Hercegovinë, Gjermania ka vendosur për anulimin e plotë të katër projekteve infrastrukturore në entitetin Republika Sërpska me vlerë 105 milionë euro për shkak të politikave separatiste të Dodikut.

Projektet përfshijnë dy faza të riparimit të hidrocentralit të Trebinjes, riparimin e Parkut të erës Hrgud dhe rrjetin e largimit të ujërave të zeza në Gradiska.