Integrimi

Gjermania pas emigrantëve të kualifikuar

Prej 3 milionë migrantësh që jetojnë në Gjermani dhe që kanë përfunduar arsimin profesional, rreth 2 milionë prej tyre i kanë marrë diplomat jashtë vendit

Në Gjermani shumë migrantë nuk bëjnë punën që i përshtatet kualifikimit të tyre.

Nga ana tjetër po flitet se mungojnë punëtorët e specializuar. Nëse në tregun gjerman të punës nuk ndryshon asgjë, atëherë në vitin 2025 do të mungojnë gjashtë milionë punëtorë. Prandaj qeveria gjermane ka filluar në qershor të 2011 një ofensivë për tërheqjen e forcave të specializuara. Pjesë e kësaj ofensive është i ashtuquajturi ligji për njohjen e diplomave të huaja.

“Deri tani migrantët janë parë ku duhet të ndihmohen. Tani për herë të parë do të shihet që të tërhiqen nga vendet e tjera njerëz me kualifikime të mira profesionale, që të jenë të dobishëm dhe nevojiten në tregun gjerman të punë.”, tha Ralf Maier, referent në Ministrinë e Arsimit

Prej 3 milionë migrantësh që jetojnë në Gjermani dhe që kanë përfunduar arsimin profesional, rreth 2 milionë i kanë marrë diplomat jashtë Gjermanisë.

Shumë prej tyre iu është dashur dekadave të kaluara që pas ardhjes në Gjermani të kualifikohen si të pashkolluar duke mos pasur kështu shanse në tregun gjerman të punës.

 Tani ata kanë të drejtën që kualifikimi i tyre të testohet dhe të kualifikohet në mënyrë adekuate.

“Ne kemi një nivel të lartë të cilin nuk duam ta ulim. Prandaj duhet të përcaktojmë në mënyrë të saktë, ku janë kompetencat dhe nëse ekzistojnë boshllëqe të plotësohen”, tha Ralf Maier, transmeton DW.

Në fushën e njohjes së profesioneve në Dhomat e Industrisë dhe Tregtisë dhe në Dhomat e Zejtarisë janë paraqitur 3 mijë kërkesa për njohjen e diplomave të marra jashtë Gjermanisë.

Rreth 700 forcave të specializuara u është njohur ndërkohë diploma. Cilat kualifikime profesionale ekzistojnë në cilat vende, që  mund të barazvlerësohen me diplomat gjermane, këto informacione mblidhen në portalin e internetit “BQ-Portal”. Ky është një projekt i përbashkët i ekonomisë dhe shkencës dhe përkrahet nga ministria e ekonomisë.

Vlerësime të kujdesshme thonë se të paktën 200 mijë migrantë që jetojnë në Gjermani punojnë nën nivelin e kualifikimit të tyre.

Shumë prej tyre, thotë Nihat Sorgec, drejtor ekzekutiv i Institutit arsimor “BWK” në lagjen Krezberg të Berlinit, janë mësuar me situatën e tyre dhe nuk janë më të motivuar për të bërë ndryshime.

“Ekziston një lloj letargjie në vitet e fundit, sepse ndjenja e refuzimit dhe e mungesës së kulturës së mirëseardhjes, ka lënë gjurmë në psiqikën e njerëzve”. Këta njerëz duhet të shkunden dhe duhen bërë disa gjëra për tu dhënë ndjenjën se “janë faktikisht të mirëseardhur”, thotë Sorgec.

Dhënia e mundësisë për të marrë tani të drejtën nuk mjafton. Ligji për njohjen e diplomave duhet të plotësohet me gjëra të tjera në të gjitha fushat, thotë Ralf Maier nga Ministria e Arsimit. Tek punonjësit e zyrave gjermane duhet të ndryshojë mentaliteti.

“Ata duhet të mësojnë pak nga kultura e mirëseardhjes dhe të vënë në jetë tezën se politikisht ne jemi përmbi ligjin. Aktualisht kjo përbën një sfidë të madhe.”

Një pengesë tjetër janë kostot e procesit të njohjes së diplomave. Ato janë 600 euro, por për analiza më të komplikuara kualifikimi shkojnë deri në 2000 euro, thotë drejtuesi i projektit të BQ-së, Dirk Werner.

“E vështirë është në rastet kur nuk ekzistojnë dëftesat origjinale, ose kur në vendin e origjinës nuk ekzistojnë regjistra arsimi. Sa më e largët të jetë koha e mbarimit të arsimit, aq më e vështirë është testimi.”, thotë Werner.

Migrantët që duan të vlerësojnë arsimin e tyre profesional ndihmohen që të mos i paguajnë vetëm kostot. Varet nga kërkesa për specialitetin e caktuar, nëse Agjencia e punës paguan pjesërisht apo plotësisht kostot e provimeve.