Kosova

Gjermania ofron donacion për FSK-në

Qeveria gjermane ka dhuruar një donacion të radhës për FSK-në. Donacioni përmban laboratorin e gjuhës gjermane dhe sistemin e frenimit të automjeteve, si dhe trajnimin e certifikimin e personelit për këtë sistem me vlerë të përgjithshme 210 mijë euro.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, falënderoi qeverinë gjermane për donacionin përkatës, duke vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen e thellë edhe për gjithë mbështetjen e deritashme në të gjitha fushat për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Gjermaninë, si një ndër partnerët kryesorë në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dy vendeve, do të rritet edhe më tej në fushat e interesit të përbashkët.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, shprehu kënaqësinë e tij që në emër të qeverisë gjermane dhuron donacionin përkatës, duke theksuar se bashkëpunimi në mes dy ministrive do të thellohet edhe më tej si dhe mbështetja nga shteti gjerman do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kursi në gjuhën gjermane që zhvillohet prej 2017, me këtë laborator prej tani do të zhvillohet në kushte bashkëkohore dhe do të mundësojë përgatitjen më të efektshme të stafit gjermanofolës të FSK-së. Gjithashtu pajisjet e sistemit të frenimit do të mundësojnë flotë të sigurt dhe efektive të automjeteve të FSK-së.