Bota

Gjermania, një nga vendet më të sigurta në botë

Në mbarë vendin ka pasur gjithsej 5.55 milionë vepra penale të regjistruara në vitin 2018, një rënie prej rreth 3.6 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm

Krimi është në nivelin më të ulët në Gjermani për gati 30 vjet, por shumë njerëz ende ndihen të pasigurt

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer është shprehur se Gjermania është “një nga vendet më të sigurta në botë”, pasi ai zbuloi statistikat më të fundit të policisë, që tregojnë se krimi është në nivelin më të ulët që kur të dhënat filluan në fillim të viteve ’90, menjëherë pas ribashkimit, përcjell albinfo.ch.

Në mbarë vendin ka pasur gjithsej 5.55 milionë vepra penale të regjistruara në vitin 2018, një rënie prej rreth 3.6 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm, raportoi Welt, transmeton “The Local”.

Shifrat e reja tregojnë se krimi i regjistruar ka rënë në të gjitha shtetet, vitin e kaluar.

Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se statistikat nuk tregojnë gjithë historinë, sepse ka shumë vepra penale që nuk janë raportuar, përcjell albinfo.ch.

Numri i krimeve të dhunshme është ulur me 1.9 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe vjedhja është ulur me 7.5 për qind, njoftoi Welt.

Bavaria është shteti i vetëm në Gjermani që shënon një rritje të kriminalitetit vitin e kaluar (0.9 përqind) krahasuar me vitin 2017.