Shqipëria

Gjermania ndihmon Shqipërinë edhe në dy projekte

Qeveria Federale e Gjermanisë e ka mbështetur Shqipërinë në vitet 2016 dhe 2017 me një shumë rekord prej rreth 100 milionë eurosh, përcjell albinfo.ch.

Ambasada gjermane ka njoftuar se sot iu hap rruga edhe dy projekteve të tjera: Njëri për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjetike (15,8 milionë euro, zbatimi nga KfW) dhe tjetri për nxitjen e punësimit dhe arsimin profesional (16,5 milionë euro, zbatimi nga GIZ).

“Bëhet fjalë për përmirësimin e kushteve të mësimit dhe të jetesës së studentëve, si dhe për të krijuar perspektiva profesionale veçanërisht për të rinjtë”, theksoi ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, e cila së bashku me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si dhe drejtuesit e zyrave të GIZ-së dhe KfW-së, nënshkroi sot marrëveshjet dhe kontratat përkatëse.