Bota

Gjermania, ndihma financiare Afganistanit për të ndalur migrimin

«Do të duhej të organizohej në atë mënyrë që masat e ndihmës të orientoheshin në infrastrukturë dhe jo që t`u paguhen «në dorë» atyre që kthehen»

Barra e madhe me të cilën Gjermania ndjehet të jetë ngarkuar nga fluksi i madh i refugjatëve e shtyn atë të mendojë ide sa më kreative për ta hequr qafe. Ideja më e re ne këtë drejtim është ajo që e ka deklaruar ministri i brendshëm gjerman Thomas de Maiziere. Ai e konsideron si të mundshme që Gjermania t`i paguajë Afganistanit një shumë parash, si ndihmë financiare, në mënyrë që ky vend i varfër dhe i kapluar nga kriza t`ua lehtësojë shtetasve të vet kthimin nga Gjermania, shkruan dpa.de.

Ministri këtë ide të tij e ka shprehur me rastin e vizitës në Kabul, të hënën.

«Do të duhej të organizohej në atë mënyrë që masat e ndihmës të orientoheshin në infrastrukturë dhe jo që t`u paguhen «në dorë» atyre që kthehen», ka thënë de Maizier. Sepse në rast të pagesës në dorë do të dilte problemi i joshjes: shuma nuk bën të jetë e lartë pasi që do t`i shtynte refugjatët që sapo të ktheheshin në Afganistan sërish të merrnin rrugën për në Gjermani, nga joshja e parave.

Lidhur me shumën e ndihmës dhe mënyrën se si do të realizohet ajo, është çështje për të cilën do të bisedohet, ka thënë ministri.