Lajme

Gjermani: 22 miliardë euro për të ndihmuar kompanitë e prekura nga pandemia

Gjermania planifikon të ndajë 22 miliardë euro si ndihmë për kompanitë dhe të vetëpunësuarit e prekur nga COVID-19, nga janari deri në qershor të vitit 2021.

Pakoja e ndihmës për koronavirus gjatë nëntorit në Gjermani për të kompensuar kompanitë e prekura nga masat e izolimit këtë muaj do të arrijë në 14 miliardë euro, thonë burime. Fillimisht, qeveria kishte pritur të paguante 10 miliardë euro, raporton Reuters, përcjell Albinfo.ch.

Këshilltarët qeveritarë për ekonomi presin që ekonomia të tkurret më pak sesa kishin pritur në fillim falë një vere të fortë sa i përket të infektuarve me koronavirus.

Si pjesë e masave të reja lehtësuese kundër COVID-19, kompanitë mund të marrin deri në 200,000 euro për muaj për të mbuluar shpenzimet, si qiratë, ndërkaq që sipërmarrësit individualë mund të marrin deri në 5,000 euro.

Gjermania ka mjaftueshëm fuqi për të lëshuar më shumë masa lehtësuese dhe stimuluese në rast nevoje, ka thënë të enjten ministri i Financave, Olaf Scholz.

Gjermania planifikon të marrë hua më shumë se 300 miliardë euro këtë vit dhe tjetrin, por duhet të marrë në konsideratë se cilat masa lehtësuese janë më të nevojshme, kishte shtuar Scholz.