Shëndetësi

Gjermania mund të financojë shkollimin e infermierëve jashtë vendit

Për të zbutur situatën emergjente të infermierisë në Gjermani, ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn synon të financojë shkollimin e tyre jashtë vendit. Ballkani nuk është shumë entuziast për këtë iniciativë

Joana Bocaj është 25 vjeçe. Ajo ka tre vjet që punon si infermiere në qytetin e Vlorës. Nëse gjërat shkojnë sipas planeve të saj, Joana nuk do të punonte edhe shumë kohë në Vlorë, sepse ajo po përgatitet që ta lerë Shqipërinë dhe të fillojë një jetë të re në Dyseldorf. Për këtë qytet ajo ka dëgjuar nga një koleg i saj. „Mendoj, se në Gjermani do të kem një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të mirë. Kemi rroga të vogla, dhe askush nuk e vlerëson punën tonë. Prandaj dua të punoj e të jetoj atje.”

Në Dyseldorf infermierja shqiptare do të jetë e mirëpritur. Problemi i injoruar me vite i mungesës së personelit në përkujdesin shëndetësor ka arritur në nivelet më të larta të politikës gjermane, raporton “DW”.

Në marrëveshjen e koalicionit qeverisës gjerman të partisë CDU/CSU dhe asaj socialdemokrate shënohet: në të gjithë Gjermaninë do të punësohen 8.000 infermierë. Ndërkohë kjo shifër është korrigjuar më lart, tani fjala është për punësimin e 13.000 infermierëve të rinj, përcjell albinfo.ch.

Rezervuar infermierësh në Ballkan

Megjithë këtë korrigjim, kjo shifër nuk do të mjaftojë, sepse gjendja është edhe më dramatike. Për shkak të mungesës së infermierëve, shumë të moshuar në qendrat e të moshuarve nuk marrin kujdesin e duhur. 36.000 vende pune në infermieri janë të pazëna, 15.000 prej tyre në qendrat e të moshuarve. Akoma më urgjente paraqitet gjendja në kujdesin shëndetësor në shtëpi. Sipas prognozave, deri në vitin 2060 numri i të moshuarve që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor do të rritet nga 2,86 milionë aktualisht në 4,5 milionë në Gjermani.

Tani ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn (CDU) ka dalë me një propozim të ri, se si mund të zgjidhej kjo situatë emergjente. Ai parasheh që forcat e nevojshme për kujdesin shëndetësor në Gjermani t’i trajnojë jashtë Gjermanisë. „Nga komisioni parlamentar buxhetor kemi edhe marrë edhe një shumë prej 9 milionë eurosh”, i tha ai një gazete gjermane në një intervistë të enjten.

Me këto para mund të gjenden partnerë jashtë Gjermanisë që të shkollojnë forca punëtore për kujdesin shëndetësor në Gjermani. Forcat e ardhshme punëtore, sipas ministrit, do duhet të mësojnë gjermanisht që në vendin origjinë. Si vende të mundshme për një projekt të tillë parashikohet Kosova, Maqedonia, Filipinet dhe Kuba.

Shpopullim i kërkuar

Në vendet e prekura të Ballkanit kjo iniciativë nuk pritet me entuziazëm. Kështu autoritetet maqedonase shprehen se projekte të tilla vetëm e nxisin emigrimin e njerëzve të rinj, të shkolluar mirë. Bashkëpunimi i propozuar në praktikë do të thotë që Gjermania të shkollojë në vend vetëm fuqinë punëtore për të cilën ka nevojë, me qëllim që ata ta lenë përgjithmonë vendin e tyre. Në një situatë të tillë, kur emigracioni në Maqedoni e vende të tjera në rajon është alarmues, zgjidhje të tilla nuk sjellin asgjë pozitive për këto vende.

Që ky rrezik është real e tregon së fundmi edhe një studim i organizatës “Together for life” dhe Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri. Sipas tij, 78% e mjekëve shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria, dhe 24% do të donin ta bënin këtë menjëherë. Arsyet më të rëndësishme: mungesa e seriozitetit në punë, paga e ulët dhe kushtet e vështira të punës.

Arrati nga mungesa e perspektivës

Situata nuk është ndryshe as në Serbi, Bosnje-Hercegovinë apo Kosovë, ku dhjetëra mijëra qëndrojnë me valixhet gati për të pritur rastin më të mirë për largimin nga vendlindja. Para konsullatave radhët e atyre që duan një vizë pune janë të gjata, shkollat e gjuhës gjermane janë të tejmbushura e ofrojnë kurse gjuhe deri në orën 23:00. Dhe agjencitë e ndërmjetësimit të punëtorëve mbushin xhepat – për ndërmjetësimin e një infermiereje nga disa klinika gjermane ato marrin deri në 5.000 euro bonus, ndërsa tarifat e ndërmjetësimit sigurisht i paguajnë punëkërkuesit.

Edhe në Kroaci, anëtare e BE gati janë shpopulluar disa rajone. Shumë vetë nuk duan vetëm rroga të larta, me largimin nga vendi ata reagojnë edhe për atmosferën politike e shoqërore në vendet e tyre, dhe mungesën e perspektivës.

Fitimtarë – gjermanët

Nga pikëpamja gjermane ky imigracion është një përfitim i dyfishtë: nga njëra anë gjendet fuqia punëtore kaq e nevojshme, nga ana tjetër shkollimi kushton shumë pak ose aspak për kushtet gjermane. Prandaj nuk të çudit reagimi pozitiv i presidentit të Diakonisë, Ulrich Lilie, që e përshëndet iniciativën e ministrit të Shëndetësisë. „Nuk ka rrugë tjetër, duhet të kualifikojmë vetë në Afrikë, Lindjen e Largët apo Europën Lindore”, thotë ai. Avantazhi është i qartë: „Fuqia punëtore vjen e gatshme me diplomë në Gjermani.”

Por ndryshe duket gjendja nga perspektiva e vendeve ku vazhdon rrjedhja e trurit. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve Shqiptarë thekson se Shqipëria nuk ka asnjë shans në një treg të pambrojtur. „Nuk e di ku ta gjejë një arkë me para për të ndaluar këtë fenomen. Kushtet e punës jashtë janë arsyeja kryesore pse mjekët duan të braktisin vendin.”

Parimi i rotacionit dhe zgjidhje rajonale

Në Ministrinë e Shëndetësisë në Maqedoni është përpunuar një propozim, me të cilin të dyja palët mund të përfitojnë. Shkupi propozon, që në bashkëpunimin me Gjermaninë të zbatohet parimi i rotacionit. Mjekët, infermierët e forcat e kujdesit shëndetësor mund të punojnë përkohësisht për gjashtë muaj në Gjermani, kështu ata përmirësojnë dijen profesionale, mbledhin përvoja, dhe fitojnë të ardhura më të mira. Pas kësaj ata do duhet të kthehen në Maqedoni. Kështu vendlindja që ka investuar në arsimin e tyre do të përfitonte nga dijet e reja.

Sipas ministrit maqedonas të Shëndetësisë, Venko Filipce, zgjidhja duhet kërkuar në planin rajonal. „Qëndrimi ynë është që adresimi t’u bëhet të gjitha vendeve të rajonit për një bashkëpunim me Gjermaninë. Këtu mund të flitet për një parim rotacioni dhe jo thjesht për largim nga vendi”, thotë Filipce në një prononcim për Deutsche Wellen.

Nëse do të ketë një zgjidhje të tillë, nuk dihet. Joana Bocaj nga Vlora nuk pret. Ajo e ka marrë ndërkohë diplomën e gjuhës gjermane për të punuar në Gjermani. Edhe pak kohë dhe ajo do të udhëtojë drejt Gjermanisë.