Kosova

Gjermania mirëpret uljen e tensioneve në Kosovë

Gjermania mirëpriti uljen e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës, por nuk pranoi të komentonte rreth kërkesës së Kosovës për më shumë paqeruajtës të NATO-s në rajon.
“Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”, tha zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann, në Berlin, transmeton dpa, përcjell albinfo.ch.

Ajo u referohej barrikadave të militantëve serbë të ngritura javët e fundit në dhjetëra lokacione në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët e hyrjes në dy pika kufitare me Serbinë.
Nga ana e saj, Qeveria e Kosovës rihapi pikën më të madhe kufitare me Serbinë.

“Prioriteti tani është që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë të mbështetet. Qeveria gjermane po e bën këtë në mënyrë shumë aktive”, tha Hoffmann.
Gjermania rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e saj për përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Evropian.