Kosova

Gjermania i kërkon Kosovës propozimet për Asociacionin

Ambasadori i Gjermanisë ka thënë se Kosova e ka obligim ta formojë Asociacionin, sepse sipas tij, ajo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si “temë të nxehtë”, në dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i japë propozimet e saj sa i përket formimit të Asociacionit, teksa ka theksuar se për të është mjaft e qartë se nuk do të ketë mundësi që në Kosovë të krijohet një “Republika Srbska”, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë, përcjell Albinfo.ch.

“Këtë e ka thënë edhe i dërguari im special për Ballkanin kur ishte në Beograd të premten dhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është obligim kontraktues i Kosovës, i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe kur thashë më parë se çështja e targave dhe kartave të identitetit është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, kështu është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Pra, Kosova duhet të veprojë për këtë dhe ju e dini, sa më shpejt të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të çmitizojë dhe relaksojë bisedën”, ka thënë ai në një intervistë për RTV Dukagjinin. Tutje Rohde ka thënë se nëse Kosova do të ketë propozime, do të jetë më e lehtë arritja e një marrëveshje me Serbinë, sipas tij, duke thënë ‘jo’, nuk është një rrugëdalje”.