Lajme

Gjermania, Franca e Italia i kërkojnë BE-së të vendosë sanksione ndaj Hamasit

Ministrat e Jashtëm të Italisë, Francës dhe Gjermanisë janë në favor të propozimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, për të krijuar “një regjim sanksionesh kundër liderëve të Hamasit në solidaritet me Izraelin dhe për të kundërshtuar operacionet terroriste të tij”.

Në një letër të përbashkët, Antonio Tajani, Catherine Colonna dhe Annalena Baerbock shprehin “mbështetjen e tyre të plotë për propozimin që duhet të lejojë BE-në të synojë anëtarët e Hamasit, grupet e lidhura dhe mbështetësit e aktiviteteve të tij destabilizuese”.

Letra vjen pas dokumentit të përbashkët të paraqitur nga Italia, Franca dhe Gjermania, në takimin e ministrave të Jashtëm në nëntor.

”Është e rëndësishme që BE të marrë të gjitha masat e nevojshme kundër grupit terrorist Hamas dhe mbështetësve të tij, përmes veprimeve konkrete për të parandaluar që sulmet si ato të 7 tetorit të mos përsëriten”, shkruajnë Tajani, Colonna dhe Baerbock.

”Miratimi i shpejtë i regjimit të sanksioneve do të na lejojë të dërgojmë një mesazh të fortë politik mbi angazhimin e BE-së kundër Hamasit dhe solidaritetin me Izraelin pas sulmeve të 7 tetorit”, theksohet në letrën e përbashkët.