Bota

Gjermania e ndalon poligaminë

Gjermania zyrtarisht ndalon poligaminë ashtu si dhe martesat që përfshijnë të miturit.

”Askush që vjen tek ne (në Gjermani) nuk ka të drejtë për të vënë rrënjët e veta kulturore, apo besimet e tyre fetare, mbi ligjet tona”, është shprehur ministri gjerman i Drejtësisë Heiko Maas për “bild”.

Në disa vende islamike, burrat lejohen t’i marrin deri në katër gra, por në Gjermani poligamia ndalohet me ligj.

Shqetësimet për poligami dhe martesat e të miturve janë rritur së fundi, përderisa Gjermania vazhdon të pranojë numra rekord të emigrantëve, shumica e të cilëve vijnë nga vendet myslimane.

Ligji në Gjermani e thotë qartë: Askujt nuk i lejohet të martohet më shumë se me një person në të njëjtën kohë, dhe kjo vlen edhe për mbërritjet e fundit në këtë vend.

“Ne nuk mund të tolerojmë martesat e detyruara, e sidomos nëse ato përfshijnë vajzat nën moshën e lejuar”, ka theksuar Maas.

Bild raporton se vetëm shteti i Bavarisë ka regjistruar deri më tani 550 raste të nuseve në moshë të mitur nën 18 vjeç dhe 161 nën 16 vjeç, ndër azilkërkuesit të cilët kanë arritur në valën e fundit të migrimeve.

Në Gjermani, mosha minimale për martesë është 18 vjeç, por është e mundur që të martohen edhe 16 dhe 17 vjeç, nëse familja jep leje dhe njëri prej tyre është së paku 18 vjeç.