Lajme

Gjermania dhe Zvicra, në top vendet që kanë investuar në Kosovë

Diaspora, me potencial të madh për investime në Kosovë

Në mesin e investimeve, Kosova gjatë pandemisë COVID-19 ka filluar të jetë atraktive për investitorët potencialë nga Gjermania, transmeton albinfo.ch.

Kështu është shprehur drejtoresha menaxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, në panelin e diskutimit për rolin e diasporës nga Gjermania për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Aty u tha se Gjermania vazhdon të jetë investitori kryesor në Kosovë dhe se ka pasur rritje të eksporteve nga vendi ynë.

Ajo çfarë duhet të theksohet është se Kosova ka filluar të jetë atraktive për investitorët gjermanë, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.

Duke qenë se gjatë pandemisë ka pasur vështirësi në zinxhirin e furnizimit, veçanërisht për kompanitë që furnizohen nga Kina dhe nga këtu ka lindur nevoja për diversifikim të furnizuesve që të jenë më afër Evropës. Tani, fokusi është në vendet e Ballkanit Perëndimor.

E mira e kësaj pandemie ka qenë se është rritur interesi për t’u furnizuar me produkte të metalit dhe plastikës nga Kosova. Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje prej më shumë se 40 për qind të eksporteve të Kosovës për në Gjermani”, tha Hasani.

Ajo shton se nga Kosova shumë kompani të teknologjisë eksportojnë shërbime në tregun gjerman.

“Nga Kosova kemi shumë kompani të IT-së, që eksportojnë shërbime në Gjermani. Për ta shfrytëzuar më shumë potencialin e sektorit të IT-së dhe për ta rritur eksportin e shërbimeve, ne si OEGJK jemi bërë proaktiv dhe kemi identifikuar 16 shoqata të IT-së në Gjermani, ku nga kjo javë kemi filluar që të kemi takime me to.

Përmes buletineve të këtyre shoqatave duam të plasojmë informacione për sektorin e ICT në Kosovë dhe të organizojmë ngjarje informative për Kosovën për këtë sektor”, shton ajo.

Nga ana tjetër, sa i përket investimeve të huaja në vend, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në këtë panel është shprehur se deri më tani nuk ka pasur platformë të koordinuar në nivel qeveritar.

“Investimet e huaja janë prioritet i lartë në Qeverinë Kurti. Në diskutimet e fundit, jeni duke ndërtuar axhendën se si të trajtohen më mirë investimet. Kemi trashëguar një sistem të investimeve që është më shumë praktikë e cila nuk ka krijuar një axhendë nacionale për investimet e përgjakshme në Kosovë, duke përfshirë investime strategjike e të huaja apo që vijnë përmes partneritetit publiko-privat.

Të gjitha këto qasje të investimeve nuk i kemi në një platformë të koordinuar në nivel qeveritar. Nuk është një politikë kombëtare e investimeve. Ekzistojnë shumë mekanizma që janë nëpër ministri, pra kur shkojmë te qeveria shohim që nuk kemi një axhendë kombëtare për investimet”, shprehet Hajdari.

Ministrja thotë se do të rishikohen të gjitha ligjet që lidhen me investimet.

“Ne tani duhet të rishikojmë të gjitha ligjet, si ai për Investime Strategjike, atë për Investimet e Huaja dhe Ligjin për Zonat Ekonomike. Të gjitha këto ligje janë shumë të gjëra, pra nuk kanë specifika të kritereve të mira se si duhet të sjellim një investim në Kosovë”, thotë ajo.

Hajdari tregon se Gjermani është vendi i parë për sa u përket investimeve në Kosovë.

“Për ne janë të shumë të rëndësishme investimet nga Gjermania, ku janë të parat, pastaj vjen Zvicra dhe vendet tjera. Nga viti 2007 deri në vitin 2020 është afër 4.1 miliardë euro total investime, me gjithsej 18 për qind Gjermania”, tregon Hajdari.

Ndërsa për investitorin nga Gjermania, Fadil Hoxha, Kosova ka përparësi të mëdha për të investuar.

Pronari i Jaha Solar thotë se të rinjve nga Kosova duhet t’iu jepet mundësia për ta shfaqur talentin e tyre.

“Ajo se çfarë kam sjell nga Gjermania ka qenë qëllimi. Qëllimi tregon që sot pas 22 vjetëve dëshmohet në shifra shumë të larta. Po ashtu, qëllimi ka qenë që t’i ndihmoj vëllezërit e mi. Suksesi i gjithë kësaj është që duke iu ndihmuar atyre duke iu dhënë një mundësi ndryshe.

Si kompani kemi shtrirje në Gjermani ku bëjmë instalime dhe zhvillojmë projekte solare. Ne kemi shfrytëzuar përparësitë e Kosovës, që është një vend me një rini të talentuar. Në 49 shtete të ndryshme kemi përvojat e transferimit të përvojave. Potencialet që ka Kosova është që iu duhet vetëm mundësia e shpalosjes së talentit të të rinjve”, përfundon Hoxha.