Shkurt.ch

Gjermania dështoi të sigurojë miliardët për projektin Neat

Berlini, në vend të katër miliardë eurove sa i ka zotuar për këtë linjë, ka mundur të sigurojë vetëm 400 milionë euro

Gjermania, duke qenë pjesë e projektit të madh hekurudhor “Neat”, ka dështuar të sigurojë shumën e nevojshme për pjesën e saj të ndërtimit të hekurudhës nga Freiburgu (i Gjermanisë) deri në Bazel.

Kështu, Berlini, në vend të katër miliardë eurove sa i ka zotuar për këtë linjë, ka mundur të sigurojë vetëm 400 milionë euro. Këtë të dhënë e ka prezantuar në radion zvicerane DRS ministri i transportit i Republikës Baden-Würtemberg të Gjermanisë, Winfried Hermann (i Partisë së Gjelbër).

Sipas tij, përveç protestave që po zhvillohen në Gjermani kundër ndërtimit, fajtor tjetër është edhe projekti “Stuttgart 21”. Sepse, paratë e investuara në atë projekt tashti mungojnë për projektet tjera, si p.sh. për projektin Neat.

Hermann po ashtu ka pohuar se as ndërtimi i linjës hekurudhore Cyrih-Shtutgart nuk po rrjedh sipas marrëveshjes që është bërë në mes të Gjermanisë dhe Zvicrës.