Shkurt.ch

Gjermania dëbon azilkërkuesit kosovarë

Është hera e tetë në këtë vit që Enti i Migracionit organizon fluturime të tilla

Edhe një fushatë e re dëbimi masiv të qytetarëve të Kosovës me status të azilkërkuesve është duke u zhvilluar nga Enti i migracionit në Gjermani.

Ditëve të fundit me urdhër të Entit, një pjesë e madhe e azilkërkuesve janë të izoluar dhe pritet dëbim i tyre drejt Kosovës, theksojnë avokatë mbrojtës të azilkërkuesve shqiptarë për agjencinë e lajmeve INA.

Enti i Migracionit në bashkëpunim me policinë ka planifikuar që familjet deri të martën e javës së ardhshme të dërgohen direkt në aeroportin e Düsseldorf-it për dëbimin në Kosovë.

Fluturimi dhe i tërë aksioni është organizuar nga Enti i Migracionit. Është hera e tetë në këtë vit që Enti i Migracionit organizon fluturime të tilla.

Një organizatë humanitare joqeveritare ka ftuar disa protestues që të marrin pjesë në një demonstratë kundër këtij dëbimi. Fluturimi nga Düsseldorf-i është planifikuar të bëhet ditën e Martë (me 18 Shtator) Ora 8 Gate F (Pranë Portës 36).

Një pjesë e azilkërkuesve janë në procedurë të dëbimit, edhe pse ata kanë akoma procedurat e hapura ligjore nëpër instancat e gjyqësisë gjermane dhe enteve sociale dhe se ankesat e tyre vlerësohen ligjore.

Avokatë të ndryshëm të të ndaluarve shpjegojnë se këto dëbime janë të paligjshme, por që me largimin e tyre nuk mund të bëjnë asgjë, njofton INA.