Lajme

Gjermani: Rritje e kontributeve dhe pasiguri për taksat e pagën minimale

Koalicioni i ardhshëm CDU/CSU dhe SPD në Gjermani përballet me sfida të mëdha financiare, sipas vlerësimeve të Institutit Ekonomik Gjerman (IW). Eksperti i IW-së, Jochen Pimpertz, paralajmëron për rritje të mëtejshme të kontributeve për sigurimet shoqërore, të cilat parashikohet të arrijnë deri në 46% të të ardhurave, kryesisht për shkak të rritjes së kostove në sistemin shëndetësor dhe reformave të planifikuara për pensionet, shkruan DW.

Për të mbajtur nivelin e pensioneve në 48% të rrogës deri në vitin 2031, do të nevojiten miliarda euro shtesë, të cilat pritet të mbulohen nga të ardhurat nga tatimet. Megjithatë, planet për uljen e tatimeve për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme, si dhe rritja e pagës minimale në 15 euro deri në vitin 2026, nuk janë ende të sigurta. Friedrich Merz theksoi se këto masa do të zbatohen vetëm nëse buxheti e lejon, duke shtuar pasiguri për shumë punonjës që frikësohen se do të përballen me barrë më të madhe financiare gjatë mandatit të ri qeveritar, përcjell albinfo.ch.