Lajme

Gjermani: Rasti i parë me Linë e Majmunit tek fëmijët

Vajza e infektuar nuk ka qenë në kontakt me asnjë person tjetër jashtë familjes.

Një vajzë 4-vjeçare në qytetin jugperëndimor  të Pforzheimit është infektuar me linë e majmunit, bëri të ditur instituti gjerman “Robert Koch” për kontrollin e sëmundjeve (RKI), duke konfirmuar rastin e parë të përhapjes së këtij virusi te fëmijët në Gjermani.

Fëmija, që jeton në një familje me dy të rritur të infektuar nga lija e majmunit, nuk ka shfaqur asnjë simptomë të sëmundjes. Ajo u ekzaminua nga mjekët si masë parandaluese, ndërkohë që një kampion i pështymës u mor nga fyti i saj për qëllime diagnostikimi, transmeton dpa, përcjell Albinfo.ch.

Lajmi bëhet i ditur vetëm pak ditë pasi instituti kishte konfirmuar edhe rastet e para të infektimit të adoleshentëve të moshës 15 deri në 17 vjeç.

Instituti “Robert Koch” ka raportuar gjithësej 2916 raste në më pak se tre muaj nga identifikimi i rastit të parë të lisë së majmunit në Gjermani. Thuajse të gjithë personat e infektuar janë meshkuj dhe vetëm shtatë prej tyre janë femra.

“Në bazë të asaj që kemi mësuar deri më tani, kontakti i afërt mes njerëzve është shkaku kryesor i përhapjes së këtij patogjeni”, njoftoi instituti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi pak ditë më parë se aktualisht vetëm një numër i vogël fëmijësh janë infektuar me linë e majmunit në nivel global.