Lajme

Gjermani: Partia e Gjelbër, e gatshme për koalicion me SPD dhe Liberalët

Lëvizja e Gjelbër njoftoi të mërkurën se është e gatshme të hyjë në koalicion me Social-Demokratët (SPD) dhe Demokratët e Lirë (FDP).

“Kemi arritur në përfundimin se është tashmë e arsyeshme të vazhdojmë bisedimet me SDP dhe Liberalët për të hulumtuar më shumë për të gjetur terren të përbashkët”, tha kryetarja e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, për mediat, ndërsa përjashtoi mundësinë për koalicion me CDU-CSU, të cilët u renditën në vend të dytë.

SPD, parti e qendrës së majtë e zv-kancelarit Olaf Scholz, rrëmbeu një fitore me rezultat të ngushtë në zgjedhjet e mbajtura më 26 shtator.

Zgjedhjet nxorën dy parti vendimtare të asaj që pritet të rrjedhë më pas, të Gjelbërit në vend të tretë dhe Liberalët në vend të katërt.

Të dyja mund të bashkojnë forcat ose me Social Demokratët ose me partinë e qendrës së djathtë të kancelares Angela Merkel për të marrë shumicën në Parlament.

Të Gjelbërit tradicionalisht kanë anuar më shumë nga e majta, ndërsa Demokratët e Lirë gjatë dekadave të fundit kanë formuar aleanca me bllokun CDU.

Krerët e të Gjelbërve thanë se u kanë propozuar Demokratëve të Lirë që dy partitë të hyjnë në bisedime tripalëshe me Social Demokratët e Scholzit./Euronews