Lajme

Gjermani: Numri i të infektuarve kalon shifrën prej 5 milionë

Numri i rasteve të infeksioneve me koronavirus në Gjermani ka kaluar tashmë shifrën pesë milionë, sipas të dhënave më të fundit nga agjencia e sëmundjeve infektive të vendit.

Instituti ”Robert Koch” (RKI) raportoi 33 498 raste të reja të dielën, duke e çuar totalin kombëtar në 5 021 469 që kur pandemia mbërriti për herë të parë në Gjermani, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.

Për më tepër, shkalla e incidencës shtatëditore për 100 000 njerëz arriti në 289,0, duke shënuar një tjetër rekord.

Zyrtarët politikë dhe shëndetësorë po paralajmërojnë gjermanët se mund të përballen me javë të vështira në dritën e shpërthimit të rasteve të reja.

“Unë kurrë nuk kam qenë kaq e shqetësuar gjatë kësaj pandemie sa jam tani”, tha Susanne Johna, kreu i shoqatës së mjekëve ”Marburger Bund”.

Spitalet po paralajmërojnë se po u mbarojnë kapacitetet dhe hapësirat për të ndihmuar pacientët.