Lajme

Gjermani: Bizneset paralajmërojnë ndërprerje të prodhimit për shkak të krizës energjetike

Shumë kompani të vogla dhe të mesme (SME) në Gjermani kanë shprehur shqetësimin për të ardhmen e tyre si rezultat i krizës energjetike, sipas një sondazhi ekonomik të kryer nga organizata për shoqatat tregtare të SME-ve, “Mittelstandsverbund”.

Sipas sondazhit, më shumë se një e treta e shoqatave tregtare vlerësojnë se kriza energjetike do të kërcënojë ekzistencën e një numri të madh anëtarësh të tyre nëse politikanët nuk marrin masa mbrojtëse.

Qeveria federale ka njoftuar një ndihmë të zgjeruar financiare shtetërore me vlerë miliarda euro për kompanitë, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.

Organizata përfaqëson shoqatat tregtare, si “Edeka”, “Rewe” dhe “Expert”. Sipas “Mittelstandsverbund”, 57 zyra qendrore të grupit të shoqatës me rreth 42 000 kompani të lidhura nga gjithsej 16 sektorë morën pjesë në anketën ekonomike.

Sipas anketës, më shumë se 26% e kompanive presin një rënie të shitjeve në muajt në vijim, ndërsa në një anketë në tremujorin e mëparshëm, shifra ishte 16%.

Sondazhi tregoi se 30% e kompanive kishte raportuar një rënie të fitimeve nga korriku në shtator.

Ndërkohë, Shoqata e Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) ka paralajmëruar një ndërprerje të prodhimit në kompani, si pasojë e krizës energjetike.

Qeveria gjermane po planifikon një “ombrellë mbrojtëse” deri në 200 miliardë euro (197 miliardë dollarë) për të mbështetur konsumatorët dhe bizneset për shkak të çmimeve të larta të energjisë.

Më herët, kancelari gjerman, Olaf Scholz, siguroi qytetarët dhe bizneset se qeveria do të bënte gjithçka që mundej për të zbutur çmimet e larta të energjisë.