Lajme

Gjermani: Arrihet marrëveshje në negociatat e pagave në sektorin publik

Pas negociatave në Potsdam gjatë fundjavës, është nënshkruar një marrëveshje e re pagash për 2.5 milionë punonjës të sektorit publik në Gjermani.

Marrëveshja, e cila u bazua në rekomandimet e një komiteti arbitrazhi, parashikon që punëtorët të marrin një rritje page prej 5.8 për qind për një periudhë prej 27 muajsh, transmeton albinfo.ch.

Nga 1 prilli, pagat do të rriten me tre për qind, ose të paktën 110 euro më shumë në muaj, ndërsa një rritje tjetër prej 2.8 për qind është planifikuar për majin e vitit të ardhshëm. Do të rriten gjithashtu edhe bonuset për punën me turne.

Për më tepër, paga ‘bonus’ e muajit të 13-të do të rritet nga viti 2026, megjithëse ajo mund të këmbehet me pushime shtesë deri në tre ditë. Nga viti 2027, punëtorët do të përfitojnë një ditë shtesë pushimi si standard, shkruan The Local.

Duke folur në emër të punëdhënësve, ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD), tha se qeveria “ka shkuar në kufirin e asaj që mund të përballojë në një situatë të vështirë buxhetore”.

Ndërkohë, Frank Werner, kreu i sindikatës së shërbimeve Verdi, e përshkroi marrëveshjen si “një rezultat të vështirë në kohë të vështira”.

Marrëveshja përmbyll javë të tëra negociatash të ashpra mes punëdhënësve të qeverisë lokale dhe federale, sindikatës së shërbimeve Verdi dhe sindikatës së sektorit publik DBB.

Ajo do t’i japë fund një vale grevash në transportin publik, në klinika, në depozitimin e mbeturinave, në qendrat e kohës së lirë dhe në çerdhe – të paktën deri në mars të vitit 2027.

Megjithatë, një mosmarrëveshje për pagat ndërmjet Verdi-t dhe operatorit të transportit të Berlinit, BVG, ende nuk ka arritur në një përfundim.