Maqedonia
Gjermanët investojnë 500 milionë euro, në sektorin e energjetikës, në Maqedoninë e Veriut
Bashkëbisedim i albinfo.ch me Adilxhemil Saiti, Këshilltar ekonomik i Republikës së Maqedonisë së Veriut për Gjermani dhe Austri
Në bisedën e zhvilluar me Adilxhemil Saiti, janë prekur disa tema shumë të rëndësishme nga rrafshi ekonomik, tregtar si dhe ai diplomatik. Mes tjerash është folur për investimet e huaja në vend, Zonat e lira dhe klima tërheqëse e tyre si dhe bashkëpunimi tregëtar mes Maqedonisë së Veriut dhe shteteve të BE-së. Saiti përmend se fabrikat e tekstilit tanimë prodhojnë materiale të ndryshme për kompanitë apo brendet e njohura europjane e botërore si: Bundespolizei, Bundeswehri gjerman, Frankfurt Airport, Swisscom, Armasuisse, Steilman, Sunrise BVG, Deutsche Post, Massimmo Dutti, Coop, Victorinos Swiss Army, Apanage, si edhe për brendet e automobilave si Mercedes Benz, Audi, Porsche, apo edhe marketeve të mëdha gjermane si LIDL, ALDI, REWE, Kaufland etj.
Albinfo.ch: Cili është misioni juaj në Gjermani?
Adilxhemil Saiti: Që nga marsi i vitit të kaluar, me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në përzgjedhje nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut më 17 prill 2021, u bë prezantimi i Strategjisë së Re për forcimin e kapaciteteve të diplomacisë sonë ekonomike në botë. Në kuadër të kësaj strategjie u zgjodh grupi i parë i katër këshilltarëve ekonomikë, ku pata nderin të jem i zgjedhuri i grupit të parë me seli në Mynih, me kompetenca për marrëdhëniet e përgjithshme bilateralo-ekonomike mes Maqedonisë së Veriut, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë. Fokusi i aktiviteteve të mia në periudhën në vijim, do të jetë sfida rreth këtyre temave konkrete: Tërheqja e investimeve të huaja gjermane, austriake e më gjerë në Maqedoninë e Veriut, Promovimi i prodhimeve nga Maqedonia e Veriut në tregjet e Gjermanisë, Austrisë, e pse jo edhe më gjerë, Promovimi i atraksioneve turistike dhe bukurive tona natyrore për turistët gjermanë, austriakë e më gjerë.
Për realizimin e detyrave të mia në këtë drejtim, natyrisht se do të duhet bashkëpunim intensiv dhe i drejtpërdrejtë mes qeverive të dy vendeve mike si Gjermania dhe Austria, ministritë përkatëse, dhomat ekonomike, unionet e bizneseve, apo grupet e interesit ekonomik, si dhe shtyllë tepër të rëndësishme e konsideroj se është edhe diaspora jonë, e cila është edhe në numër, për do kisha thëne edhe e etabluar në sistem me vlerat dhe bizneset e saja në Europë. Bashkëpunimi më të gjitha këto institucionet përveç detyrës sime tepër me përgjegjësi do të jetë edhe një nder i veçantë për mua, që së paku me të gjithë aktorët ekonomik të vendosim një gur shtesë në mozaikut e bashkëpunimit apo zhvillimit ekonomik mes vendeve tona.
Albinfo.ch: Çfarë ofron Qeveria e Maqedonisë për bizneset nga jashtë?
Adilxhemil Saiti: Në mënyrë telegrafike po përshkruaj disa mundësi që ofron Qeveria e Maqedonisë së Veriut për investitorët e huaj. Maqedonia e Veriut ka një klimë tepër të favorshme për invesime të huaja, norma më të ulëta të tatimeve për kompanitë e huaja, dhe është pothuajse më konkurruesja në regjion. Maqedonia e Veriut ka 14 Zona të Lira Ekonomike për inkuadrim të kompanive të huaja me 10 vjet pushim/lirim tatimor për fitimet e korporatave, të ardhurat nga puna, TVSH-ja, dhe kushte tjera të volitshme.
Tatimi mbi të ardhurat është 10%, taksa e korporatës është 10%, norma e përgjithshme të TVSH-së është 18, si dhe stimulime financiare nga shteti për çdo të punësuar varësisht nga niveli i investimit.
10 VJET LIRIM NGA TATIMI – Investitorët në zonat e lira gëzojnë të drejtën e një uljeje tatimore 10-vjeçare për tatimin mbi të ardhurat e korporatave dhe ulje 100% të tatimit mbi të ardhurat për një periudhë deri në 10 vjet.
Investitorët janë të liruar nga TVSH-ja për importin dhe tregtimin e mallrave në zonat e lira. Përveç kësaj, investitorët janë të liruar nga pagesa e detyrimeve për pajisjet, makinerive dhe pjesët e këmbimit. Toka në Zonat e Lira në Republikën e Maqedonisë së Veriut jepet me qira afatgjate për një periudhë deri në 99 vjet me çmime tepër preferenciale (0,10 € për m2 në vit).
Investitorët janë të përjashtuar nga pagesa e taksave komunale dhe tarifave të lejeve të ndërtimit. Lidhje falas me rrjetet e gazit natyror, ujit dhe kanalizimeve.
Qeveria mund të mbështesë rritjen e investimeve kapitale dhe të të ardhurave me një kthim prej 10% të kostove të investimit në makineri dhe pajisje të reja ose investime në ndërtesa dhe tokë.
Albinfo.ch: Cilat biznese kanë më shumë mundësi për tu inkuadruar në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe anasjelltas?
Adilxhemil Saiti: Këtu si model i suksesshëm janë treguar investimet e kompanive gjermane, të cilat i kemi shumë prezente në vendin tonë. Janë diku rreth 200 kompani me kapital gjerman dhe nga linjat e tyre të prodhimit në fusha të ndryshme, mbi më shumë se 90 % shiten apo eksportohen në tregjet evropiane apo botërore. Vetëm nga kompanitë gjermane në Maqedoninë e Veriut janë të punësuar diku mbi 20.000 punëtorë, që drejtpërdrejt mundëson zbutjen e numrit të papunësisë apo hyrje të pagave mujore për familjet tona në përgjithësi.
Kemi shumë lloje të bizneseve që janë inkuadruar në Zonat e Lira Ekonomike apo edhe jashtë zonave, nëpër qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, por kompanitë që më së shumti kanë të punësuar dhe e risin numrin e Eksportit janë kompanitë nga fusha e industrisë automobilistike që prodhojnë pajisje elektronike apo pjesë të ndryshme për vetura të brendeve të njohura si Audi, Mercedes, BMW etj., dhe në saje të këtyre investimeve, kuptohet jo vetëm gjermane, por edhe nga shumë vende tjera evropiane dhe botërore, bëjnë mozaikun e përgjithshëm të investimeve nga të gjitha anët e botës. Sa u takon bizneseve nga Maqedonia e Veriut që janë të mundura për inkuadrim në tregjet evropiane, gjermane, austriake apo zvicerane janë prodhimet, duke filluar nga ato ushqimore, pemë, perime, verërat, prodhimet e metaleve, plastikës, mobiljeve, materialet ndërtimore, graniti i njohur i Prilepit dhe pjesëve tjera, dhe në veçanti do kisha theksuar produktet e tekstilit nga Maqedonia e Veriut, që kanë një traditë të gjatë prodhimi e kualiteti si dhe punojnë për kompanitë apo brendet e njohura europjane e botërore. Kur jemi te tekstili, përcjellim disa emra të brendeve evropiane apo botërore ku prodhimi apo qepja e tyre bëhet në Maqedoninë e Veriut, si: Bundespolizei, Bundeswehri gjerman, Frankfurt Airport, Swisscom, Armasuisse, Steilman, Sunrise BVG, Deutsche Post, Massimmo Dutti, Coop, Victorinos Swiss Army, Apanage, si edhe për brendet e automobilave si Mercedes Benz, Audi, Porsche, apo edhe marketeve të mëdha gjermane si LIDL, ALDI, REWE, Kaufland etj.
Albinfo.ch: Në Maqedoninë e Veriut kemi disa Zona të Lira Ekonomike, nëse nuk gabohem vetëm një prej tyre është ndërtuar në pjesën ku jetojnë shqiptarët, si e komentoni këtë?
Adilxhemil Saiti: Përveç zonave tepër funksionale në Shkup dhe në qytet tjera, kemi edhe Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë. Drejtoria për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore, udhëheq me Zonat Zhvillimore Teknologjike-Industriale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka themeluar katërmbëdhjetë Zona Zhvillimore Teknologjiko-Industriale të cilat janë në faza të ndryshme të ndërtimit. Zonat zhvillimore teknologjike-industriale Shkupi 1, Shkupi 2 dhe Shtip, janë plotësisht funksionale, ndërsa për TIDZ Tetovë është nënshkruar Marrëveshja për partneritet publiko-privat me një kompani ndërkombëtare. Paralelisht, Drejtoria për TIDZ është duke punuar në zhvillimin e njëmbëdhjetë Zonave Zhvillimore Teknologjike-Industriale në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të arritjes së zhvillimit të balancuar ekonomik në mbarë rajonin.
Në përputhje me konceptin dhe misionin e saj, Drejtoria për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike përpiqet që Republika e Maqedonisë së Veriut të shndërrohet në një qendër ndërkombëtare biznesi të Evropës Juglindore duke ofruar infrastrukturë të klasit botëror, të mbështetur nga shërbime të cilësisë më të lartë dhe përfitime të pakrahasueshme në rajon dhe më gjerë.
Albinfo.ch: Në tregun zviceran, tashmë disa vite me radhë, kemi produkte nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Ato shiten në rrjetet e marketeve më të mëdha zvicerane. Cila është rruga që duhet ndjekur për të shtuar artikuj tjerë në raftet e Maketeve në Zvicër, Gjermani dhe vendet tjera evropiane?
Adilxhemil Saiti: Në kohën e digjitalizimit dhe internetit, mënyra e parë dhe direkte është lidhja e drejtpërdrejtë e bizneseve apo kompanive mes vete, por ka edhe mënyra tjera, ku përmes pjesëmarrjes nëpër panaire të ndryshme për fusha të caktuara të bizneseve, kompanitë njoftohen mes vete dhe po ashtu mes vete lidhin edhe kontrata të mundshme biznesi. Por ka edhe një formë që është e lidhur edhe me mënyrën e punës sime kur bëjmë shpesh prezantime të produkteve/kompanive apo klasterëve të veçantë nga vendi ynë, para kompanive, unioneve të bizneseve apo dhomave ekonomike gjermane dhe austriake dhe janë zakonisht produkte që posedojnë cilësi, sasi dhe licenca adekuate për shitje në tregjet evropiane apo më gjerë. Nga këto prezantime, shpesh ndodh që të shpreh interes ndonjë kompani për bashkëpunim apo kërkim të partnerëve të mundshëm nga Maqedonia e Veriut. Në fund është edhe mënyra kur kompanitë drejtpërdrejt, përmes dhomave të tyre ekonomike ku janë të anëtarësuar si anëtarë obligativ kërkojnë përmes ambasadave, apo Konsulatave të Përgjithshme të shteteve përkatëse ku fokusin e tyre e kanë lidhjen e kontakteve me kompani nga vendi ynë dhe ne mandej në rrugë institucionale ua përcjellim kontaktet me kompanitë e mundshme apo të dëshiruara për bashkëpunim dhe ata vazhdojnë bashkëpunimin apo partneritetin, në rast të interesit të përbashkët. Sa i përket vendimeve për investime apo zgjerim të investitorëve gjermanë, austriakë janë më të ngadalshme kisha thënë, sepse tani jemi ende duke kaluar sfidat e pandemisë dhe vendimet i marrin pas shumë e shumë analizave, konsultimeve apo studimeve më të thella në interesin e tyre afatgjatë. Mund të përmendim faktin se shumë kompani gjermane dhe austriake janë në lidhje të ngushtë me Zvicrën, ku kanë kompanitë e tyre simotra dhe janë pjesë e pandarë e trungut të tregut gjermanishtfolës.
Albinfo.ch: Në Zvicër jetojnë mbi 57 mijë qytetarë nga Maqedonia e Veriut dhe shumë më tepër nga Kosova. Edhe në vende tjera të Evropës numri i qytetarëve nga vendlindja është i madh. A mendoni se shkëmbimi tregtar mund të rritet falë mërgatës në këto vende dhe çfarë i sugjeroni mërgatës sonë në këtë rast?
Adilxhemil Saiti: Mërgata jonë në përgjithësi, kudo që gjendet në shtetet evropiane apo në botë, për ne përherë ka qenë dhe mbetet një aset i rëndësishëm i ekonomisë sonë kombëtare. Vetëm remitencat vjetore nga mërgata janë në shifra tepër të larta milionëshe e më tepër. Andaj mërgata jonë është edhe pjesë e programit tonë ekonomik për lidhje të bashkëpunimeve të ngushta ekonomike rreth çdo ideje të mundshme që vjen qoftë nga ana e mërgatës, qoftë nga ana e shtetit nga vijmë, që shërbejnë edhe si ura lidhëse për ekonomitë e vendeve tona. Ata janë një vlerë e shtuar dhe ne gjithmonë kemi llogaritur dhe llogarisim në lidhjen me ta dhe jemi të hapur për çdo formë bashkëpunimi apo investime strategjike në të ardhmen.
Sa më shumë të jetë në numër mërgata jonë, apo të jetë edhe e etabluar në sferat e sistemin shtetëror politik, ekonomik apo bizneseve në fusha të ndryshme në shtetin nikoqir, aq më shumë rriten mundësitë për rritjen e shkëmbimeve dhe interesave të tjera tregtare. Andaj idetë, projektet apo strategjitë e tyre të mundshme për zhvillim dhe investim në vendin tonë janë të mirëseardhura. Në rast të investimeve të tyre në Maqedoninë e Veriut, ata janë të barabartë me investitorët gjermanë, austriakë, francezë, italianë, zviceranë apo të tjerë dhe njëkohësisht në thithjen e benefiteve shtetërore për investimet e jashtme.
Sugjerimi ynë drejtuar çdo mërgimtari, qoftë individ tregtar, qoftë grup i vogël / i mesëm, apo i një interesi më të madh ekonomik, që kanë në fokus të veprimtarive të tyre kapacitete prodhuese, apo biznese serioze, t’i shqyrtojnë mundësitë e tyre për zgjerim të veprimtarive të tyre prodhuese në Maqedoninë e Veriut, në veçanti t’i marrin parasysh kushtet tepër të volitshme që i ofrojnë konceptet e Zonave të Lira Ekonomike për dhjetë vite të liruar nga tatimi dhe fuqi të kualifikuar dhe më të lirë punëtore në krahasim me vendet ku jetojnë e veprojnë. Në rast të investimeve të tyre do kemi një situatë fitimprurëse nga të dyja anët, edhe fitimet në bizneset e tyre edhe punësimi i popullatës sonë në anën tjetër. Andaj ata janë urrë lidhëse e patjetërsueshme dhe uroj që këto ura bashkëpunimi dhe investimi të shtohen dhe të mos mungojnë edhe rezultatet e dëshiruara.
Albinfo.ch: A ekziston një plan konkret nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, i cili do tu mundësonte tregtarëve nga dy vendet, shanse ma të mëdha për shkëmbimin tregtar?
Adilxhemil Saiti: Plane ka pasur, ka dhe natyrisht do të ketë edhe në të ardhmen. Maqedonia e Veriut, sa për informacionin e lexuesve tuaj, në dhjetë vitet e fundit, por edhe aktualisht ka një shkëmbim tepër të lartë tregtar me RF të Gjermanisë, dhe atë në rreth 4 Miliardë Euro në vit. 2/3 e këtij shkëmbimi janë eksport nga Maqedonia e Veriut, falë investimeve të lartpërmendura të kompanive gjermane dhe 1/3 import nga Gjermania. Me Austrinë kemi afër 200 milionë Euro shkëmbim tregtar në vit, ku 1/3 është eksport nga Maqedonia e Veriut dhe 2/3 import nga Austria. Konkretisht Maqedonia e Veriut këtë vit ka hartuar dhe publikisht ka prezantuar edhe një Plan Strategjik Zhvillimor me diku rreth 150 projekte tepër të rëndësishme investive në gjithë territorin e vendit që kapin vlerën diku rreth 9 miliardë Euro dhe natyrisht shfrytëzoj rastin që përmes platformës tuaj edhe këtu të apeloj te mërgata jonë në veçanti te afaristët që janë të interesuar për ndonjë lloj investimi duke nisur nga infrastruktura, energjetika deri te projektet fitimprurëse nga investimet e tyre të drejtohen për konsulta dhe marrje të informacioneve më të hollësishme rreth atyre projekteve.
Albinfo.ch: Çfarë mund të na thoni për turizmin, a ka hapësirë të bollshme dhe mundësi reale për bashkëpunim në këtë sferë, duke patur parasysh që turizmi është një arterie shumë e rëndësishme e ekonomisë së çdo shoqërie?
Adilxhemil Saiti: Si regjion natyrisht se kemi ofruar dhe tani janë edhe mundësitë reale më të mëdha për t’ju ofruar në këtë sferë turistëve të huaj. Pandemia e dy viteve të fundit ka bërë pengesën e saj, por megjithatë pritjet janë edhe më të mëdha në të ardhmen. Sa i takon Maqedonisë së Veriut si shtet mes dy korridoreve të rëndësishme evropiane, jemi ndër shtetet me interes nga turistët e huaj, në veçanti nga turistët holandezë, nga Belgjika, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Polonia, shtetet skandinave, por realisht nuk kemi ndonjë fluks të madh të turistëve gjermanë, austriakë apo zviceranë. Një nga obligimet shtesë tonat në këtë drejtim është që sa më shumë që të jetë e mundur të bëjmë promovime të ofertave tona turistike, duke u nisur nga ai veror, dimëror, malor, ofertave të kulinarisë, çiklizmit e shumë ofertave tjera që do i kishim bë për vete turistët e huaj në vitet e ardhshme.
Albinfo.ch: Nëse Maqedonia e Veriut merr ftesë zyrtare për t`iu bashkangjitur BE-së. A mund të presim një “bum“ investimesh të huaja në vend?
Adilxhemil Saiti: Natyrisht, përveç se aktualisht kemi bashkëpunim të lartë ekonomik tregtar me shtetet e BE-së, me rastin e marrjes së ftesës nga BE-ja efekti do jetë pa dyshim edhe më i madh, sepse fakti që në njërën anë Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe si argument shtesë aspirata për anëtarësim ne BE, fiton së pari nga grandet financiare për investime në projektet madhore, ku në mënyrë të drejtpërdrejt tangohet edhe interesi ekonomik evropian dhe shteti ynë, apo çdo shtet tjetër i ri i mundshëm përfiton nga ky anëtarësim.
E gjithë kjo automatikisht do të jep refleksionet direkte edhe për investime të huaja shtesë, ku parashikimet e institucioneve relevante ekonomike në vend dhe jashtë, janë se ky shkëmbim tregtar në dhjetë vitet e ardhshme do të jep rezultate të dyfishta, por me politikat e qarta ekonomike dhe orientimi europjan i vendeve tona, do të jep ndoshta edhe mundësi edhe për më shumë investime të mundshme.
Albinfo.ch: A mund të na njoftoni për ndonjë investim kapital në Maqedoninë e Veriut, i cili u realizua në këto 4 vitet e fundit me investime nga jashtë?
Adilxhemil Saiti: Në vazhdën e disa investimeve të jashtme me rëndësi nga shtetet evropiane do të kisha theksuar vetëm një investim nga kompania gjermane WPD për ndërtimin e një Parku Energjetik nga energjia e erës në vlerë prej 500 milionë euro (577 milionë dollarë) me kapacitet prodhimi prej 415 MW, ku do të ndërtohen rreth 69 turbina me erë dhe do të ndërtohet midis qyteteve të Kumanovës dhe Kriva Pallankës, në pjesën verilindore të vendit.
Përveç se kemi investime të reja nga jashtë, në shumë raste kemi edhe zgjerime të kapaciteteve ekzistuese të kompanive që tani më me vite punojnë e veprojnë në Maqedoninë e Veriut, si Costal, ODW Elektrik, Krombert Schubert, Gerresheimer etj.
Ky Park Energjetik do të prodhojë mjaftueshëm energji elektrike për të plotësuar nevojat e 290,000 familjeve dhe ky është investimi më i madh direkt gjerman në ekonominë e Maqedonisë së Veriut që kur vendi shpalli pavarësinë në vitin 1991.
Të ngjashme
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha