Lajme

Gjeneva, me numër rekord të lejeve ndërkufitare të lëshuara në vitin 2024

Kantoni i Gjenevës ka regjistruar numrin më të madh të mbajtësve të rinj të një leje ndërkufitare në vitin 2024, sipas buletinit të fundit statistikor për muajin janar.

Vitin e kaluar janë dhënë 24,835  leje të tipit G, shifra më e lartë i regjistruar që nga fillimi i statistikave në vitin 1989, transmeton albinfo.ch.

Për të tretin vit radhazi, numri i lejeve ka shkuar në 20,000, sipas zyrës kantonale të statistikave. Gjashtë nga dhjetë mbajtësit e rinj të lejeve ndërkufitare janë burra, dhe i njëjti proporcion janë të moshës nga 20 deri në 34 vjeç.

Leja zvicerane G është e vlefshme për pesë vjet dhe mbetet e tillë edhe nëse mbajtësi ndalon së punuari në Zvicër para se të skadojë.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave, Kantoni i Gjenevës kishte 112,092 punëtorë të huaj aktivë ndërkufitarë në tremujorin e tretë të 2024. Në të gjithë Zvicrën, numri i përgjithshëm i punëtorëve të huaj aktivë ndërkufitarë gjatë së njëjtës periudhë ishte 403,243.