Lajme

Gjeneva nuk ndalon më “punën” e lypësve

GJEDNJ në Strasburg ka ardhur në përfundimin se Zvicra kishte shkelur përmbajtjen thelbësore të së drejtës për të respektuar jetën private duke dënuar një rome nga Rumania për kërkim lëmoshe

Ndalimi i kërkimit të lëmoshës në Kantonin e Gjenevës do të pezullohet. Drejtësia e Gjenevës po reagon kështu ndaj një vendimi që ka sjellë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strassburg.

Prokurori Publik i Gjenevës Olivier Jornot ka siguruar që ndalimi i lypjes nuk do të zbatohet më në këtë kanton, shkruan sda.ch. Policia pra, të paktën tash për tash, nuk duhet të ndjekë penalisht ligjërisht njerëzit që kërkojnë lëmoshë.

Zëdhënësi i gjyqësorit të Gjenevës, Olivier Francey, ka konfirmuar të martën një raport përkatës të botuar në gazetën e përditshme “Tribune de Genève”.

Ky vendim vjen vetëm dhjetë ditë pasi GJEDNJ në Strasburg arriti në përfundimin se Zvicra kishte shkelur përmbajtjen thelbësore të së drejtës për të respektuar jetën private duke dënuar një rome nga Rumania për kërkim lëmoshe.

Gruaja 22-vjeçare ishte dënuar me një gjobë prej 500 frangash për lypje në rrugë në Gjenevë në vitin 2014, transmeton albinfo.ch. Gruaja analfabete, e cila ka prejardhje shumë të varfër, qe akuzuar për nëntë shkelje të ndalimit të lypjes në Gjenevë brenda tre vjetësh.

Me paratë që i  kërkonte lëmoshë, ajo mbulonte nevojat e saj më elementare, është qëndrimi i GJEDNJ.

Gjykata e konsideron dënimin e gruas si një sanksion serioz. Për shkak se nuk mund të paguante gjobën, ajo qe dërguar në burg për pesë ditë, si një dënim zëvendësues. Sipas GJEDNJ, një masë e tillë duhet të justifikohet nga një interes themelor publik, i cili në këtë rast nuk u dëshmua, përcjell albinfo.ch. Ndalimi i përgjithshëm i lypjes pamundëson peshimin e interesave në raste individuale.

Ligji që ndalon lypjen ekziston në Gjenevë që nga viti 2008. Prokurori i përgjithshëm i sotëm Jornot ishte një nga avokatët e flaktë të ligjit, si anëtar i parlamentit.

Pas dënimit nga gjykatësit e Strasburgut, Prokurori Publik i Gjenevës u është drejtuar autoriteteve politike. “Varet nga ata nëse duan të heqin ose modifikojnë ndalimin e lypjes, për shembull duke kufizuar dënimin vetëm për sjellje të caktuara (lypje agresive, lypje me fëmijë) ose në vende të caktuara (para bankomatëve)”, citohet Jornot në Gazete.