Lajme

Ndalimi i pirjes së duhanit jashtë në disa vende publike, prin Gjeneva

Qëllimi: krijimi i ambienteve të shëndetshme në natyrë pa duhan

Nga 1 qershori, duhani do të ndalohet në disa vende të jashtme në Gjenevë, duke përfshirë stacionet e autobusëve, këndet e lojërave dhe jashtë shkollave, përcjell albinfo.ch.

Qeveria ka modifikuar ligjin për pirjen e duhanit në vende publike për të mbrojtur popullatën, dhe veçanërisht të rinjtë, duke krijuar “ambiente të shëndetshme në natyrë që janë pa duhan”.

Pirja e duhanit do të ndalohet brenda një perimetri prej nëntë metrash të këndeve të lojërave, shkollave dhe qendrave të kujdesit ditor në Gjenevë.

Parlamenti i Gjenevës ra dakord për këtë ndryshim në janar 2022. Por ata vendosën të mos e shtrijnë ndalimin në tarracat e restoranteve dhe kafeneve. Kushdo që kapet duke shkelur ligjin do t’i nënshtrohet një gjobe 100-1000 CHF.

Rreth një në katër persona në Zvicër pi duhan – një trend i qëndrueshëm gjatë dekadës së fundit – ndërkohë që shifra është pak më e lartë tek të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç (31.7%). Hulumtimet tregojnë se shumica e duhanpirësve të rritur (57%) filluan kur ishin të mitur.

Që nga 1 maji 2010, pirja e duhanit është ndaluar në Zvicër në zona të mbyllura kur ato janë të hapura për publikun ose shërbejnë si vend pune për më shumë se një person. Ndalohet pirja e duhanit në restorante, ndërtesa publike dhe zyra. Pirja e duhanit është e ndaluar edhe në transportin publik. Pirja e duhanit lejohet në dhoma të veçanta për pirjen e duhanit, jashtë dhe në shtëpi private, përcjell tutje albinfo.ch.