Integrimi

Gjendet Kujtesa 15 vjeçe pas tre muajsh zhdukjeje

Policia e Kantonit të Cyrihut ka kumtuar se vajza e humbur është gjetur në mëngjesin e të dielës shëndosh e mirë në rrugët e qytetit Winterthur të kantonit Cyrih

Më 23 shtator të këtij viti, familjarët e saj e kishin shpallur të zhdukur vajzën 15 vjeçe, Kujtesën, nga Dietlikoni i Cyrihut. Më vonë, në muajin nëntor dyshohej se ajo ishte parë në regjionin e Oltenit.

Ndërkaq sot policia e Kantonit të Cyrihut ka kumtuar se vajza e humbur është gjetur në mëngjesin e të dielës shëndosh e mirë. Pas indikacioneve të dhëna nga qytetarët, ajo është gjetur  në rrugët e qytetit Winterthur të kantonit Cyrih.

Në fakt, siç shkruan portali 20minuten.ch ka qenë shoqja e saj 23 vjeçja Alma Kucukovic e cila e ka ndjellë atë në Winterthur, ku e ka njoftuar policinë që ta merrte. Ajo me këtë rast është përballur me mllefin e vajzës e cila e fajësonte për “tradhtinë” që i kishte bërë duke e vënë në kurth.   

Policia nuk jep informacione lidhur me motivet e zhdukjes së vajzës, duke respektuar kështu detyrën për mbrojtjen e personalitetit të të miturës, shkruan zuonline.ch.

Ndërkohë portali 20minuten.ch thotë se Kujtesa është gjetur por ajo nuk pranon të kthehet në familjen e saj.