Lajme
“GjakovaBasel”, një model bashkëpunimi që duhet të ndiqet
Shoqata “GjakovaBasel” është kurorëzim i punës shumëvjeçare të shqiptarëve dhe zviceranëve në vendosjen e urave në mes të Gjakovës dhe Bazelit
Vetëm tre muaj më parë ka filluar së vepruari një shoqatë e re, me karakter specifik dhe me seli në d qytete të dy vendeve të ndryshme. “GjakovaBasel”, Siç lihet të kuptohet nga emërtimi, është shoqatë që promovon bashkëpunimin në mes të qytetit të Gjakovës dhe atij të Bazelit, në radhë të parë në rrafshin kulturor po edhe në fusha tjera. Ndonëse ende fare e re, rrënjët e shoqatës, si në Bazel ashtu dhe në Gjakovë, shtrihen shumë më gjatë dhe më thellë.
“Shoqata ka një parahistori. Në fakt GjakovaBasel ngrihet mbi rrënjë të dyfishta. Njëra është Këshillimorja Shqiptare, e themeluar në Bazel vitin 1997 “ABS” (sot ABSM) dhe rrënja tjetër, angazhimi në Kosovë i Dorothea Fankhauser dhe miqve e familjarëve të saj nga viti 2005”, shprehet Georg Fankhauser, kryetar i shoqatës.
Siç dihet, ABSM, shoqatë që ofron kurse të gjuhës dhe kualifikime të ndryshme profesionale, është themeluar me përpjekje të mëdha të mërgimtarëve shqiptarë në Bazel (Skender Nikoliqi me bashkëveprimtarë tjerë). Fillimisht me emrin ABS (Albanische Beratungstelle), ishte një qendër e rëndësishme për migrantët nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Në kuadrin e programeve për ndihmë me rastin e kthimit të refugjatëve kosovarë pas përfundimit të luftës atje, ABSM në emrin e ndihmave për kthim, në vitin 2000 pati themeluar në Gjakovë një institucion për kualifikim profesional. Ndërkohë ky institucion ofron kurse bazike për administratë biznesore si dhe kurse gjuhe për të rinjtë, thotë më tutje Fankhauser.
“Nga një vizitë e Dorothea Fankhauser-Ritter në vitin 2005 në Kosovë për mbështetje private të kopshteve të fëmijëve të Caritasit, u zhvillua një aktivitet shumëplanësh dhe i qëndrueshëm i saj dhe i imi”, vazhdon George. Aktivitetet tona ishin në fushën e mbështetjes së familjeve, të rinjve dhe të muzikës. Mbështetja e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë përbën epiqendrën e këtij angazhimi, thekson ai. Kështu, te themeluesit e shoqatës GjakovaBasel lindi iniciativa që përvojat pozitive të krijuara t`i ndajnë mbi këtë platformë për projekte tjera të bashkëpunimit në fushë të kulturës, shoqërisë civile, turizmit dhe ekonomisë etj.
Fankhauser: “Ka një afërsi shpirtërore në mes të Gjakovës dhe Bazelit”
Për pyetjen tonë përse është zgjedhur pikërisht Gjakova, Fankhauser ka një përgjigje interesante dhe komplekse, ku tërheq edhe paralele të një afërsie shpirtërore në mes këtyre dy qyteteve. “Së pari ne besojmë në iniciativat largpamëse me personalitete të angazhuar dhe largpamës por që kanë bazë të mirë njohjeje në aspektin lokal. Pastaj, si qytetarë të Bazelit ne kemi identifikuar njëfarë afërsie shpirtërore me Gjakovën, gjë që e kanë përjetuar edhe miqtë dhe partnerët e projektit tonë nga Zvicra. Ndryshe nga unë dhe Dorotheam natyrisht, bashkëthemeluesit dhe shumica e anëtarëve të komitetit mbështetës, kanë lidhje me Gjakovën. Ne besojmë se edhe në qytete/komuna tjera në Zvicër dhe në Kosovë, mund të ngrihet diçka e ngjashme, nga personalitete me iniciativë. GjakovaBasel do të jetë e gatshme për ndihmë dhe bashkëpunim në një rast të tillë. Por kjo duhet “të rritet nga poshtë”, tërheq vërejtjen Fankhauser.
A është vetëm kultura në fokus të shoqatës apo edhe fushat tjera për çfarë zakonisht themelohen shoqatat, si fusha humanitare, ekonomike apo të ngjashme?
“Misioni i shoqatës është promovimi i njohjes së ndërsjellë dhe bashkëpunimit në mes të njerëzve dhe institucioneve me bazë regjionale në Gjakovë, Kosovë dhe Bazel, Zvicër në të gjitha fushat si kulturë, sociale, ekonomi, shoqëri civile, etj. Unë dhe bashkëshortja ime jemi muzikantë amatorë (instrumentist në violonçel) por profesionalisht unë si ekonomist, menaxher etj. prej 40 vitesh kam qenë i angazhuar në ekonomi. Edhe në komitetin mbështetës marrin pjesë jo rastësisht ndërmarrës, të cilët përvojat dhe sukseset e tyre të arritura në Zvicër duan t`i aplikojnë në Kosovë. GjakovaBasel sheh potencial në turizëm (jo vetëm me turistë nga diaspora që vizitojnë vendlindjen por edhe me turistë nga Zvicra) pastaj në arsimim, përpunim dhe eksportim të produkteve bujqësore (verërat, marmelata etj.) por edhe në shërbime, përfshirë softuerin dhe shërbimet IT etj. Po ashtu ne para investitorëve potencialë nga Zvicra e bëjmë edhe propagandimin e Gjakovës si vend të duhur për investim dhe ndihmojmë me këshillime për kushtet e investimit atje etj.
Kur është fjala për aktivitetet konkrete të zhvilluara deri më tash, shoqata e re mund t`iu referohet edhe “rrënjëve” të saj gjegjësisht aktiviteteve të shoqatave dhe fondacioneve pararendëse të saj.
“Nga njëra anë kemi vazhduar aktivitetet që i kemi pasur nga “parahistoria” e përmendur e shoqatës. Për shembull, nga ABSM në Bazel dhe ABSM në Gjakovë por edhe nga ana e Dorothea Fankhauser, janë mbështetur klasat e masterit të muzikës në Gjakovë, pastaj koncerti humanitar në favor të shkollës së muzikës të Gjakovës, bursa private nga rrethi i miqve për tu mundësuar studimin e muzikës nxënësve me gjendje të dobët financiare të kësaj shkolle si dhe aksioni i mbledhjes së ndihmave për instrumentet muzikore po për këta studentë. Kjo është bërë në bashkëpunim me shoqatën ACACIA (për bashkëpunim zhvillimor dhe fondacionit tonë (www.stiftungpirolo.ch)”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Binjakëzimi në mes të dy qyteteve, nuk është prioritet
Projekte tjera në vazhdim janë sjellja në Bazel, në bashkëpunim me ABSM-në, e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e cila gjatë qershorit mori pjesë në aktivitetin sportiv “Sporti flet një gjuhë” dhe ka zhvilluar takime me një sërë përfaqësuesish të autoriteteve të këtushme. Ndërsa aktiviteti më i ri dhe mjaft interesant është master klasa e nxënësve të shkollës së muzikës të Gjakovës në kështjellën franceze “Promenois”.
Një aktivitet kaq i bujshëm në mes të dy qyteteve, a nuk duket si bazë e mirë për lidhje të partneritetit ose binjakëzimit mes Bazelit dhe Gjakovës, është pyetja jonë
“Lidhjen formale të një partneriteti në mes të qyteteve ne nuk e shohim si prioritet. Por duke punuar konkretisht me njerëz të angazhuar me moton tonë: “Njohje, bashkëpunim, miqësi”, ne synojmë të mbushim me jetë një partneritet të tillë. Është e kuptueshme se në fushat si kultura, ekonomia, sociale etj. nevojitet një bashkëpunim i mirë në mes të institucioneve shtetërore dhe privatëve, fondacioneve, shoqatave etj. Pikërisht Bazeli, që ka mbi 900 fondacione ka një traditë dhe përvojë të madhe në këtë drejtim. Pastaj, marrëdhëniet politike Zvicër-Kosovë janë shumë të mira, kështu që në atë mes nuk ka nevojë për ne. Atje ku një bashkëpunim është dëshirueshëm në mes të Gjakovës dhe Bazelit në kuptimin e vlerave dhe synimeve që përfaqësojmë, ne e ofrojmë bashkëpunimin tonë. Për një zhvillim të qëndrueshëm të shtetit të ri të Kosovës do të jetë vendimtare që krahas ndihmave në para dhe investimeve ndërkombëtare dhe parave nga diaspora, të shfrytëzohen më shumë resurset lokale në të gjitha fushat”, thekson më tutje Fankhauser.
Për të ardhmen kemi projekte si prezantimin e rezultateve të masterklasës së Burgundisë në Kosovë, gjegjësisht një koncert me filarmoninë e Prishtinë dhe me një koncert të shkollës së muzikës në Gjakovë. Në nëntor pastaj do të ketë sërish masterklass dhe koncerte në Gjakovë dhe në Prishtinë, veç tjerash së bashku me pianisten polake nga Bazeli, Olivia Grabowska dhe muzicientë tjerë ndërkombëtarë si dhe mësues muzike me një përzgjedhje prej studentëve më të mirë të shkollës së muzikës të Gjakovës.cPastaj presim së shpejti një orkestër të rinjsh nga regjioni i Bazelit në Gjakovë të marrë pjesë në projektin tonë të përbashkët te javës me nxënësit e shkollës së muzikës.
Krahas këtyre, ka edhe shumë ide dhe kontakte për partnerë të mundshëm në fusha të tjera. Projektet tona kanë një qëndrueshmëri të siguruar falë një rrethi muzicientësh dhe muzikdashësish entuziastë. Të shpresojmë se së shpejti do të kemi edhe projekte bashkëpunimi me njerëz tjerë, si zviceranë ashtu dhe kosovarë në Zvicër ose në Kosovë edhe në fushat tjera, përfundon Georg Fankhauser, kryetar i shoqatës GjakovaBasel.
Masterclass i nxënësve të Gjakovës në kështjellën franceze
Gruaja ime dhe unë prej 25 vitesh organizojmë në kështjellën tonë Promenois në Burgundi të Francës javët e muzikës. Më së shpeshti bëhet fjalë për vorkshope të kompletuara me koncerte kamertale ose koncerte publike në rrethinën e afërme. Në vitin 2013 ishin për herë të parë të ftuar dy nxënëse të violonçelos në një masterclas me profesorë dhe studentë nga shtetet skandinave. Në këtë vit, në qershor pra, kishim një kurs me pjesëmarrjen e 19 nxënësve nga Gjakova.
E-Diaspora
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora 107,158 votues nga diaspora kanë aplikuar për votim në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të...
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
Jeta në Zvicër
-
Si do të ndikojnë te qytetarët ndryshimet në ekonominë zvicerane në vitin 2025? Lajmi i mirë është se ekonomia e Zvicrës do të mbetet e qëndrueshme në përgjithësi –...
-
Ҫfarë mund të prisni në Zvicër në vitin 2025?
-
Taksat e turizmit shtohen në koston e pushimeve të skive në Alpet zvicerane
-
Aplikimi për patentë shoferë, një hap me rrezik të lartë për të moshuarit
-
Fishekzjarret zvicerane lëshojnë deri në 400 tonë grimca