Lajme

Gjakova nis eksportin e mbulesave për Volvo

Nga Gjakova në drejtim të Suedisë është nis një kontingjent me 2.500 copë mbulesa për veturat Volvo, duke shënuar kështu eksportin e parë “Made in Kosova” pas 16 vjetësh

Një kontingjent me 2500 mbulesa për veturat Volvo, është nisur sot nga Gjakova në drejtim të Suedisë, duke shënuar kështu hapin e parë të eksportit nga Kosova drejt Bashkimit Evropian. Këto mbulesa i ka prodhuar fabrika “Interex” e Gjakovës e cila ka kontratë me gjigantin suedez.

Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari –Lila ka vizituar fabrikën Intertex, e cila sot ka nisur dërgesën e parë pas gjashtëmbëdhjetë viteve për në BE.

“Jam shumë e lumtur që po nisim dërgesën e parë për eksport në Suedi. Duket një hap i vogël, por një simbolikë e madhe për Gjakovën pasi ka filluar të eksportojë dhe njëherit shprehem se jam e sigurt që me hapjen e parkut të biznesit do të zhvillojmë edhe kapacitete tjera”, ka pohuar kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila.

Në kontingjentin e parë eksportues janë 2.500 copë mbulesa të tilla që do të dërgohen  qendrën e kompanisë Trox, e cila edhe është investitori e kësaj fabrike në Gjakovë.

Ardita Rizvanolli, menaxhere e kompanisë “Intertex” ka bërë të ditur se pas këtij kontingjenti, në javën tjetër do të eksportohen 2.750 mbulesa, ndërsa në muajin qershor pritet të dyfishohet kapaciteti i punëtorëve, si dhe kapaciteti i prodhimtarisë së mbulesave.

Po ashtu, siç tha Rizvanolli, pritet të fillojë edhe linja tjetër e prodhimit që ka të bëjë me prodhimtarinë e jelekëve antiplumb për ushtrinë amerikane. Për sasinë e prodhuar janë angazhuar 20 punëtorë, ndërsa për punët tjera që janë kontraktuar priten të angazhohen edhe 30 të tjerë.