Futboll

Giresse: Zvicra ka ekip shumë të fortë, por ne kemi marrë të gjitha masat për këtë ndeshje

Trajneri i Kosovës ka folur para ndeshjes ndaj Zvicrës

Përzgjedhësi Alain Giresse debutoi me fitoren 5:0 kundër Burkina Fasos.

Ai foli për ndeshjen e nesërme ndaj Zvicrës. “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne, e dimë se çfarë skuadra ka Zvicra. Besoj se jemi përgatitur shumë mirë për këtë takim, ku do të ketë shumë tifozë. Këtë ndeshje e kemi përgatitur si të gjithë ndeshjet e tjera. Nuk duhet të përqendrohemi në aspektin emocional, vetëm në atë futbollistik. Zvicra ka ekip shumë të fortë, por ne kemi marrë të gjitha masat për këtë ndeshje. Shpresojmë të bëjmë mirë”, është shprehur Giresse në konferencën për media, përcjell albinfo.ch.

“Dëshira ime është të përparojmë sa më shumë si ekip, është herët të flasim për kualifikimin në Euro 2024. Nuk kam qëllim të bëj një ndryshim rrënjësor, por të vazhdoj punën mbi bazën e krijuar nga Challandes”, deklaroi trajneri i Kosovës.

Ndeshja Zvicër-Kosovë zhvillohet të martën nga ora 18:00.