Kosova

Giresse, i kënaqur me Kosovën: Na është dukur sikur të luanim në Prishtinë

Përzgjedhësi i Kosovës, Alian Giresse është ndarë i kënaqur me djelmoshat e Kosovës të cilët arritën të ruajnë rezultatin e barazimit 1-1 në miqësoren me Zvicrën.

Duke folur para mediave, Giresse tha se ndeshja e sotme ishte e njëjtë sikurse të zhvillohej në Prishtinë, njofton Albinfo.ch.

“Kemi luajtur një ndeshje të mirë. Jam shumë i lumtur me ekipin dhe me angazhimin që kanë treguar në këtë ndeshje. Ishte një ndeshje e vështirë. E kam ditur që do të ketë shumë tifozë në këtë ndeshje dhe na është dukur sikur të luanim në Prishtinë. Këto dy ndeshje kanë qenë për të parë lojtarët sesi luajnë së bashku, këtë e kemi arritur dhe tani e kam një ide më të qartë sesi luajnë lojtarët”, tha ai.

Tutje përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës theksoi se në dy ndeshjet e fundit që ka zhvilluar Kosova, angazhimi dhe motivimi i lojtarëve ishte i lartë.