Kosova

Gërvalla: Diaspora, një urë lidhëse shumë e rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Gjatë takimit me ambasadorin zviceran, ministrja Gërvalla ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe se do të vazhdohet edhe më tej me kultivimin e tyre në shumë sfera.

Në këtë kontekst, Ministrja e Jashtme ka përmendur edhe rolin e diasporës shqiptare, e cila është një urë lidhëse shumë e rëndësishme ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij zviceran.

Gërvalla ka falënderuar ambasadorin Kolly për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës, që prej periudhës së paraluftës e në vazhdimësi.

Ministrja Gërvalla ka thënë se kjo situatë kërkon solidaritet, ndaj ka shfaqur shpresën edhe në ndihmën e shteteve mike në mënyrë që Kosova, në një ta ardhme të afërt, të mund të sigurojë sasinë e vaksinave për të gjithë qytetarët.