Lajme

Gentiana, “lulja e Alpeve” që po pushton majat e botës

Alpinistja Gentiana Zyba, femra shqiptare që po shënon histori në ngjitjet e saj në alpet e ndryshme të botës

Për Gentianën fillimisht mjafton dëshira, puna dhe vullneti për të arritur në realizimin e ëndrrave, aty ku do. Ajo është një vajzë energjike, me ambicie të mëdha për jetën, duke mos ndaluar së punuari për synimet dhe qëllimet e saj.

Nga këndvështrimi i parë, te Gentiana vërehen shumë veçanti, por ajo që dallohet më shumë është entuziasmi që ka për alpinizëm. Pikërisht për këtë arsye, revista Albinfo.ch kësaj radhe do t’ ju sjellë një portret suksesi interesant.

Mbase, e gjithë kjo dashuri për alpinizëm nuk është rastësi, pasiqë vetë emri saj, Gentiana, është lule e Alpeve, që rritet në lartësi mbidetare 1600 metra dhe ka një histori ilire në vete.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Gentiana, Ngjitja në Akull, në Adelboden, Zvicer.

 Jeta dhe pasioni i saj

Gentiana Zyba rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Kosova.

«Unë vij nga një fshat i Suharekës (Therandës), aty ku edhe e kam nisur shkollën fillore, deri në klasën e pestë. Pastaj u shpërngula me familje në Zvicër, ku edhe kam mbaruar studimet «Bachelor» në degën ‘Ekonomi dhe Biznes’. Kam punuar punë të ndryshme, në fabrikë të bombonave, në produksion, po ashtu jam marrë me modelizëm, kam organizuar festivale ‘outdoor’ të muzikës dhe tani, për momentin, punoj në fushën e financave në “Trading” në banken UBS», tregon Gentiana.

Si një shqiptare e Kosovës, ajo nuk ka frikë nga ballafaqimet me alpinizëm, përkundrazi, për të është një aventurë që i dhuron shumë shije. Ajo bëri shumë “zhurmë” në Zvicër. Madje, u komentua si ‘Vajza Alpine Zvicerane’, më energjike që po shkel shumë maja.

«Dëshira për të udhëtuar, për të parë më shumë, për të bërë më shumë në përgjithësi, me shtyu të eksploroj botën dhe të provoj gjëra të ndryshme. Kisha filluar ‘climbing’ që moti, në fakt, më ishte bërë fiksim. Me një verë para 5 vjetëve grumbullova shoqërinë dhe ua mbusha mendjen të ngjitemi me guidë në majën më të lehtë mbi 4000 metra, në Zvicër, Breithorn. E cila është një ecje e lehtë dhe joteknike. Për mua aty ishte fillim, ndërsa për tre shokët e tjerë, mbetën me atë» (qeshë).

Alpinizmi për Gentianen është sfidë mendore dhe fizike. Është sport i forcës, durimit, guximit dhe pjekurisë mendore.

«Në nivelin mendor, alpinistët kanë nevojë për përqendrim të palëkundur, vendosmëri dhe aftësinë për të tejkaluar dështimet. Në nivelin fizik, ngjitja e bjeshkëve të larta e shtyn trupin si shumë pak sporte të tjera», tregon ajo.

E pyetur rreth përvojave në ngjitjet shkëmbore në Zvicër dhe jashtë vendit, Gentiana tregon se vitin e kaluar ka bërë ngjitje të ndryshme në majën mbi 4000 metra në Zvicër, por jo vetëm:

«Kam bërë një ngjitje të ‘Vullkanit Acatenango’, 3976 m, në Guatemala, ku të sjellë një pamje të mahnitshme vullkani që gjithmonë është aktiv, “Fuego”. Të them të drejtën, gjatë gjithë natës s’kam bërë asnjë sy gjumi. Çdo shpërthim i vullkanit ishte spektakular, të jesh aq afër, të ndjesh tokën duke u dridhur, teksa sheh llavën duke rrjedhur me nxehtësinë që e lëshon, është kënaqësi. Po ashtu, shumë mirë kam kaluar edhe në Greqi, në shtator 2022, me grupin nga Kosova “Kosovo Mountain Club”. U ngjitëm në majën më të lartë në Greqi. Ishte pikërisht maja ‘Olymp’, me një lartësi prej 2,918 metrash mbi nivelin e detit».

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Gentiana dhe Sandra nKampin III, në 6400m. Ngjitja Ama Dablam, Nepal.

Ama Dablam, ngjitja që i la më shumë shije

«Ngjitja e fundit, në nëntor 2022, ishte kulmi deri tash. Më erdhi një mundësi e rrallë të bëja një ngjitje me alpinistin e njohur Nimsdai dhe ekipin e tij në Nepal, në Ama Dablam. Kjo e fundit është një bjeshkë e lartë 6,812 metra, e vendosur në rajonin e Everestit në Himalajat e Lindjes. Konsiderohet si një nga malet më ikonike në botë, për shkak të formës karakteristike dhe është synim i rëndësishëm për shumë alpinistë. Perveç bukurisë, ngjitja e majes është e vështirë dhe konsiderohet si një nga sfidat më të vështira në Himalajë. Nimsdai (Nirmal Purja) është bërë i njohur në mbarë botën për arritjet e tij në alpinizëm dhe ka thyer disa rekorde. Ai u bë i njohur pasi arriti të ngjitet në 14 majat më të larta të botes në vetëm pak më shumë se 6 muaj dhe është njëri prej alpinistëve më të përfolur bashkë me dokumentarin ‘14 Peaks. Nothing is Impossible», tregon ajo.

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Gentiana Zyba me shoqen Sandra Christen ne Kampin I, në 5800m, Ngjitja Ama Dablam, Nepal.

Përshkrimi i udhëtimit në Nepal: I vështirë dhe mbresëlënës

Nëse doni të futeni në adrenalinë dhe të eksploroni vende që nuk i keni parë më parë, pikat e alpinizmit janë mjaft frytdhënëse dhe mahnitëse. E njëjta gjë ishte edhe Ama Dablam, për Gentianën.

«Me vjen vështirë të gjej fjalët e duhra dhe të përshkruaj këtë eksperiencë. Ekspedita për të ngjitur në Ama Dablam kërkon aftësi të larta alpine, kohë të mirë të aklimatizimit në lartësi dhe një ekip të specializuar për ta bërë atë me siguri. Unë me Nimsdai dhe Elite Expedition u ndjeva shumë e sigurt gjatë gjithë ekspeditës, që zgjati 3 javë».

Shumica e alpinistëve ekspertë sugjerojnë që vizita nga tetori e tutje konsiderohet më të mira. Për arsye se bora është në kontroll dhe nuk do të imponojë rreziqe të rrëshqitjeve të dheut apo stuhive, të cilat mund të jenë edhe fatale për individin.

Vlen të theksohet se ngjitja e majës “Summit push” përmban seksione vertikale, ngjitje me crampon nëpër akull, dhe pjesë të shumta të ekspozuara që kërkojnë aftësi të larta alpinistike me rrëzikshmëri. Po ashtu, temperaturat e ftohta janë vetëm një nga sfidat me të cilat ballafaqohesh. Thuhet se në këto lartësi ajri është më i hollë dhe ka më pak oksigjen.

Gentiana tregon se klima në këto lartësi ndikon në trupin e njeriut dhe çdo lëvizje është më e vështirë.

Sipas saj, «nga mungesa e oksigjenit në trup mund të ndodhin raste të sëmundjes së lartësisë ose hipoksia akute. Në raste të rënda, mund të kalojë edhe në vdekje. Edhe gjatë kohës kur isha unë aty, dy persona humbën jetën gjatë kësaj ngjitjeje. Unë kisha disa simptoma të lehta, si dhimbje koke dhe vështirësi në frymëmarrje. Për t’iu shmangur këtyre rreziqe, ne jemi ngjitur gradualisht dhe kemi qëndruar disa ditë në kampin bazë (4600m) për të aklimatizuar trupin».

Tutje Gentiana rrëfen se më 10 nëntor 2022, rreth drekës, arritën më në fund në majën e Ama Dablam.

«Emocionet që kam ndier janë vështirë për t’u përshkruar. Ndjeja kënaqësi, gëzim, lehtësim, qetësi dhe krenari. Shpërblimi i pamjes së shkëlqyeshme dhe ndjesia e triumfit është e padiskutueshme», shprehet Gentiana.

«Billi Bierling prej Himalayan Database më ka konfirmuar se bashkë me mua, jemi tri femra nga Kosova që jemi ngjitur në majën Ama Dablam në Nepal, asnjë mashkull» (qesh)

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Me “Kosovo Mountain Club” në Majën me të lartë ne Greqi. Maja Mytikas 2918m, Mali Olymp. Photo: Nitt Gashi

E pyetur nga revista Albinfo.ch se sa është e rrallë që gratë të marrin pjesë në ngjitjen në alpe si sport, Gentiana tregon se, në fakt, nuk është e rrallë që gratë të marrin pjesë në ngjitjen në alpe si sport. Sipas saj, vitet e fundit numri i grave që bëjnë alpinizëm u ngrit ndjeshëm dhe disa prej tyre janë shumë të suksesshme në këtë sport.

«Në shumë raste, gratë mund të jenë më të suksesshme se burrat në alpinizëm, sepse kanë aftësi të veçanta, si fleksibilitet, që mund të bëjnë që ngjitja të jetë më lehtë dhe më e suksesshme. Unë jam në dijeni që edhe dy femra të tjera nga Kosova janë ngjitur në majën Ama Dablam. Njëra prej tyre është Uta Ibrahimi, e cila është inspirim jo vetëm për mua, por edhe për shumë vajza të tjera», tha ajo.

Nga të gjitha destinacionet që i ka kaluar Gentiana, tregon se dy destinacionet më të bukura kanë qenë ajo e ‘Bjeshkëve të Nemuna’ dhe Ama Dablam.

«Dua t’i cek dy, edhe pse secila ngjitje është një përvojë unike dhe e veçantë, ku merr vlera të ndryshme. E para është Ama Dablam, në Nepal. Mbase ka qenë sfida më e madhe mentale dhe fizike, deri në limitet e mia. Jo vetëm arritja e majës më të lartë, por të tërë udhëtimin e konsideroj si një përvojë madhështore. Dhe, s’mund dot pa e përmendur edhe ngjitjen në majën e Vajushës. Nuk mund ta harroj pamjen madhështore, impresionuese të Bjeshkëve të Nemuna. Ndoshta ishte edhe për shkak të emocioneve, se isha në vendin tim».

Për fund, Gentiana Zyba tregon për lexuesit e revistës Albinfo.ch se destinacioni i radhës është pikërisht Zvicra, si vendi më alpik në botë dhe Shqipëria.

«Do të ngjitem në Matterhorn në Zvicër në fillim të verës. Jam në diskutim me Nims dhe ekipin e tij për një ngjitje në një maje mbi 8000 metra lartësi mbidetare. Nuk kam vendosur a është Everesti apo ndonjë tjetër maje. Po ashtu, mezi pres edhe ngjitjen e radhës në Alpet tona shqiptare, në Valbonë», përfundon Gentiana. /Albinfo.ch

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm