Integrimi
Gentiana, avokatja e pasionuar pas të drejtës ekonomike
“Zemra ime rrah për të drejtën ekonomike dhe në veçanti për lëmin e kompanive të posakrijuara (startup). Është mbresëlënëse të jesh gjithmonë pjesë e një projekti dhe që këtë projekt ta shndërrosh në diçka të madhe”
Gentiana Shabanaj është avokate që si fushë të veprimtarisë së saj profesionale ka zgjedhur të drejtën ekonomike. Ky sektor kombinon shumë fusha të së drejtës dhe kërkon njohje si dhe pasje të një vështrimi të përgjithshëm të konteksteve të vështira ekonomike. Kjo e bën punën e avokatit në këtë fushë shumë interesante dhe sfiduese”, thotë Gentiana për albinfo.ch.
Albinfo.ch: Kush është Gentiana Shabanaj? Si erdhët në Zvicër?
Gentiana Shabanaj: Thënë shkurt, unë jam, nga njëra anë një avokate e re, mendjehapur dhe nga ana tjetër, një vajzë e re fare normale, e cila pëlqen të bëjë veprime që e emocionojnë, udhëton shumë dhe interesohet për modën.
Jam e lindur në Pejë. Familja ime ka ardhur në Zvicër për shkaqe ekonomike dhe politike kur unë kisha vetëm pak muaj që kisha lindur. Në Zvicër jam rritur me katër motra dhe vëllezër. Gjithmonë kemi pasur marrëdhënie shumë të ngushta me njëri tjetrin, marrëdhënie që i kemi mbajtur deri sot. Së këndejmi, unë jam po ashtu një njeri shumë familjar.
Shkollimin e rregullt e kam vijuar në një fshat të vogël në Kantonin e Bernës, për të mbaruar pastaj gjimnazin. Gjatë kohës së shkollimit, për mua që nga fillimi ka pasur rëndësi performanca në mësime. Edhe jashtë shkollës kam qenë shumë e angazhuar, për të përmendur këtu aktivizimin tim në një klub volejbolli.
Studimet e drejtësisë i përfundova pastaj në Bernë, ku më vonë kam punuar edhe si asistente shkencore në Institutin për të Drejtën Ekonomike dhe në të njëjtën kohë kam marrë licencën për avokate. Kjo pozitë në Universitetin e Bernës ka ngjallur tek unë një interesim të thelluar për të drejtën ekonomike dhe ka përforcuar synimin tim për të punuar në një zyrë të madhe ligjore në Cyrih. Tashti, unë këshilloj pikërisht në këtë fushë klientët e mi, shumica e të cilëve vijnë nga firmat e krijuara rishtas (Startups).
Të punosh si avokate në Zvicër është një punë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se konkurrenca është shumë e madhe. Përse vendoset të studioni juridikun?
Drejtësia (ligjet) na shoqëron kudo në përditshmërinë tonë. Mua më ka interesuar qysh herët se çfarë është e lejueshme dhe çfarë duhet evituar, shmangur si dhe mënyra se si janë të disenjuara gjegjësisht si duhej të ishin, marrëdhëniet juridike. Unë po ashtu gjithmonë kam dashur të kuptoja se si është i strukturuar një shtet dhe si funksionon ai. Drejtësia të jep mundësinë që të veprosh në shumë sektorë dhe të bësh ndikimin tënd në shtet. Krahas kësaj, studimet e drejtësisë të ofrojnë një arsimim shumë cilësor të përgjithshëm dhe të hapin shumë porta në profesion. Kjo dhe kontakti i ngushtë me njerëz ishin për mua shkaqet kryesore që më shtxnë të studioja drejtësinë.
Tani jeni në kohën e specializimit, jeni gjithkund nëpër gjykata, prokurori, ku ju rreh zemra më shumë: të mbroni qytetarët apo shtetin, apo ligjin?
Unë, që në kohën e studimeve dhe pastaj gjatë praktikës në avokaturë, jam përpjekur që të shikoja sa më shumë sektorë. Kështu unë gjatë studimeve kam qenë asistente në një zyrë të vogël që ishte e specializuar në të drejtën penale dhe familjare. Një pjesë të praktikës sime pastaj e kam kaluar në një gjykatë regjionale dhe në kuadrin e një autoriteti të pajtimit. Këto angazhime kanë qenë të gjitha shumë interesante. Por zemra ime rrah në fakt për të drejtën ekonomike dhe në veçanti për lëmin e kompanive të posakrijuara (startup). Është mbresëlënëse të jesh gjithmonë pjesë e një projekti dhe që këtë projekt ta shndërrosh në diçka të madhe.
Keni menduar ndonjëherë se do të ndani drejtësinë?
Po, kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime.
Ishte dëshirë e prindërve apo vendoset ju vet për të ardhmen tuaj?
Kjo ka qenë padyshim dëshira ime. Nëna ime është mësuese e pasionuar dhe unë kam ndjenjën se ajo intimisht ka dëshiruar që unë të ndiqja rrugën e profesionit të saj. Ndërkaq me babanë tim kam diskutuar vazhdimisht rreth asaj nëse do të ishte më mirë të studioja mjekësinë. Por prindërit e mi kanë qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe. Edhe nëse ata ndoshta nuk kanë mundur të më mbështetnin profesionalisht, unë kam pasur gjithnjë mbështetjen e tyre të plotë morale, pa të cilën nuk do të mund të arrija kurrë deri këtu.
A ka shumë ligje Zvicra? Çfarë do të te thotë të jesh juriste në Zvicër?
Po, Zvicra ka shumë rregulla ligjore. Kjo e bën veç tjerash të pashmangshme që avokatët të specializohen në pak fusha. Për shkak të dendësisë në rritje të rregulloreve dhe “legalizimit” të shoqërisë, shumë klientë e kanë shpesh tashmë të pamundur që të krijojnë një ide mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre. Kjo pastaj ka për pasojë që ata të marrin avokatin që në fillim, i cili, sikur në rastin tim, do të ndjekë një projekt që nga fillimi. Një monitorim i tillë i ngushtë i projektit nënkupton, përveç pasjes së një ekspertize solide profesionale juridike po ashtu edhe njohuri mbi aktivitetin biznesor të klientit dhe të fushës përkatëse.
Është po ashtu e nevojshme që avokati të jetë i arritshëm për klientët, mundësisht sa më shpejt dhe pothuajse në çdo kohë. Komunikimi në kohën e sotme realizohet kryesisht përmes e-mailit ose telefonit. Rrjedhimisht, profesioni i avokatit kërkon trajnim dhe specializim të vazhdueshëm ashtu si dhe qasje.
Shqiptarët kanë ecur mes vështirësive për tu integruar në jetën konkurruese të vlerave të shoqërisë e shtetit ligjor zviceran. Ku janë shqiptarët tani përballë ligjit?
Unë mendoj se përmes integrimit të tyre, sjellja e e shqiptarëve është përshtatur me shtetin ligjor të Zvicrës. Kjo, sipas mendimit tim ka bërë që shumica e shqiptarëve t`i përmbahet sistemit ligjor zviceran.
Me çfarë merret zyra juaj, çfarë u ofroni Ju klientëve, znj.Shabanaj
Avokatura në të cilën punoj unë, ka shtatë filiale në gjithë Zvicrën. Ajo përbëhet nga avokatë individualë, të specializuar në lëmenj të ndryshëm profesionalë. Kjo madhësi dhe specializimet nga më të ndryshmet, na e bëjnë të mundur që klientëve tanë t`u ofrojmë këshillime gjithëpërfshirëse. Unë punoj para së gjithash për sektorin “Kellerhals Carrard Staruo-Desk”. Ne këshillojmë ndërmarrësit e rinj dhe ndërmarrjet e reja rreth të gjitha çështjeve si për shembull ciklet e financimit, planet për pjesëmarrjen e punonjësve dhe të drejtën e punës.
Pra, jam përcaktuar për lëmin e të drejtës ekonomike. Ajo kombinon shumë fusha të së drejtës dhe kërkon njohje si dhe pasje të një vështrimi të përgjithshëm të konteksteve të vështira ekonomike. Kjo e bën punën e avokatit në këtë fushë shumë interesante dhe sfiduese. Veç kësaj, si avokat ekonomie, ose biznesi, je i orientuar ndërkombëtarisht, gjë që mua më përshtatet shumë.
Sa avokatë shqiptarë njihni në Zvicër?
Unë jam e lidhur përmes medieve sociale me disa avokatë shqiptarë por personalisht, për fat të keq, njoh vetëm pak prej tyre.
Sa janë të vështira studimet e juridikut?
Studimet në Fakultetin e Drejtësisë nuk janë aspak studime të lehta dhe të marrin shumë kohë. Por falë përkushtimit dhe pasionit të madh, përfundimi i tyre ka qenë për mua fare mirë i realizueshëm.
E mendoni ndonjëherë të ktheheni në Kosovë për të bartur përvojën zvicerane në fushën e drejtësisë?
Po, sigurisht. Unë vazhdoj të jem shumë e lidhur me Kosovën dhe rregullisht i kaloj pushimet e mia atje. Por pasi që si avokate e re më duhet të bëj edhe ca përvojë për vete, që të mund të ndryshoj diçka në Kosovë, kjo me siguri nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Deri atëherë unë shpresoj natyrisht se edhe Kosova do ta bëjë një hap në drejtimin e duhur. Tashti, unë këshilloj pikërisht në këtë fushë klientët e mi në një avokaturë të madhe e cila quhet “Kellerhals Carrard.”
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriGentiana Shabanaj
- Prejardhja:Pejë - Kosovë
- Vendi ku vepron:Zürich
- Profesioni:Avokate
- Kontakti [email protected]
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane