Lajme
Gazetarja austriake që i ka për zemër shqiptarët
Mbi 120 intervista janë dashur që Franziska Tschinderle të përfundojë librin e saj "Unterwegs in Albanien". Ajo ka arritur të depërtojë te gjëja më e rëndësishme dhe më e çmuar që ka Shqipëria, NJERËZIT!
Franziska Tschinderle është vetëm 26 vjeçe dhe ka arritur të ndërtojë një kështjellë konceptuale për lexuesin e huaj rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në librin e saj të parë “Unterwegs in Albanien” gjeta dhe unë një copë të fëmijërisë time, por edhe disa këndvështrime, të cilat as më kishin rënë ndonjëherë ndërmend. Ajo arrin të krijojë ekuilibrin mes të mirës dhe të keqes edhe për Shqipërinë, gjë që rrallëherë e kemi hasur. Studentja e historisë është e pasionuar pas Ballkanit dhe Kosovën e ka shumë për zemër.
Franziska ka punuar dhe punon si reportere që i dedikohet Evropës jugore. Ka publikuar për shtëpi mediatike prestigjioze si “NZZ”, “Le Monde Diplomatique”, “Die Zeit” etj. Ajo dhe Aida Kolenovic, përkthyesja nga Kosova që shoqëroi Franziskën për pesë muaj rresht, marrin lexuesin me vete në një aventurë, e cila pasqyron Shqipërinë nga afër dhe pa doreza, reale dhe autentike. Mbi 120 intervista janë dashur që ajo të përfundojë librin e saj, pra ajo ka arritur të depërtojë tek gjëja më e rëndësishme dhe më e çmuar që ka Shqipëria, NJERËZIT!
Si erdhi ideja për të shkruar një libër mbi Shqipërinë?
Unë kam filluar diku nga 2016 të shkruaj reportazhe rreth Kosovës dhe atë kam arritur ta njoh mirë. Por me kalimin e kohës mu bë e qartë se shqiptarë nuk ka vetëm në Kosovë, por sigurisht edhe në Shqipëri, rreth e qark saj, si dhe në Diasporë. Kjo ishte një ndër arsyet që më tërhoqi fillimisht. Po ashtu shtëpia botuese “Dumont” shprehu interesin e saj, që dëshironte një libër rreth Shqipërisë, pasi turizmi po lulëzon mjaftueshëm këto pesë vjetët e fundit. Kishte lindur nevoja për ta kuptuar më mirë vendin nga ana historike, politike dhe ajo kulturore. Gjithashtu s’ka pothuajse asnjë libër jo shkencor në gjermanisht rreth saj.
Cila ishte përshtypja juaj e parë kur arritët në Shqipëri, na e thoni në mënyrë spontane?
Tiranën nuk e njihja fare dhe ndryshe nga Prishtina, ku njoh çdo cep, u hodha direkt në kaosin e madh të këtij qyteti, ndërkohë që javët e para hulumtova shumë në këmbë dhe me biçikletë. Gjëja e parë që mendova ishte: uau! Ku do të gjej një parking për makinën. Një nga temat qendrore të librit është përballimi konceptual i Shqipërisë me të kaluarën e saj.
Cilat janë çështjet kryesore të së kaluarës, me të cilat vendi nuk ka arritur të pajtohet apo dhe t´i përpunojë ato?
Ekzistojnë disa përgjigje. Unë nuk mendoj se një popull duke përfshirë këtu të gjitha gjeneratat, do të thoshte që nuk i intereson e kaluara e vet. Edhe brenda një familje luajnë historitë e saj në psikikën familjare për çdo gjeneratë një rol të rëndësishëm. Kështu që një përgjigje e mundshme do të ishte që deri në vitet 90-ta nuk ka ekzistuar shoqëria civile pasi është shtypur dhe penguar nga komunizmi. Rreth Shqipërisë thuhet fatkeqësisht se s’ka arritur të krijojë histori bashkëkohore, përderisa deri pas diktaturës kanë shkruar histori vetëm historianët partiakë. Ndërkohë, arsyeja e dytë e cila është akoma më kritikuese, është mungesa e vullnetit politik për të punuar dhe përballuar të kaluarën. Këtë e tregojnë fakte si p.sh. aktet kanë qëndruar të mbyllura për kohë shume të gjatë, ende mungojnë muzetë mbi kampet dhe burgjet e internimit komunist, pra nuk ka ndodhur një përballje e vetëdijshme.
Cilën temë që donit ta trajtonit gjithsesi nuk e realizuat dot për librin dhe pse?
Në fakt, unë u nisa për në Gjirokastër me mendimin për të shkruar rreth Ismail Kadaresë, bile desha dhe ta takoj atë, pasi si çdo turist tjetër kisha lexuar “Kronikë në gur”. Në Gjirokastër u ndesha me historinë interesante të Musine Kokalarit të cilës i dedikova pastaj muaj të tërë. Ishte për mua një përjetim i veçantë pasi takova pasardhësit e saj duke mundësuar dhe hulumtime direkt në arkiva. Pra, në vend që të shkruaja rreth autorit më të njohur shqiptar vendosa t`i dedikoj një kapitull, i cili është një nga më të preferuarit e mi, një shkrimtareje shqiptare që u harrua qëllimisht nga komunizmi. Kundrejt shqiptarëve (nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut) ekziston një farë paragjykimi klishe, jo gjithmonë pozitiv.
Si mendoni se do të ndikojë libri te lexuesi në këtë drejtim, a do të ndihmojë ai në ndryshimin e imazhit rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve?
Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme dhe mund të shtrohet për çdo vend tjetër, sepse paragjykime ka për këdo. A ka më shumë paragjykime kundrejt shqiptarëve, kjo mund të diskutohet gjatë. Unë mendoj se pas të lexuarit të këtij libri shumë personave do t´ju bëhet e qartë se në këto vende ndodh shumë më tepër nga çfarë na shërbehet nga pasqyra e mediave normale. Për shembull mbi Kosovën qëndron fokusi i lajmeve tek krizat politike si dhe te problemi i ndërtimit të shtetit. Rreth Shqipërisë flitet në linjë të parë mbi problemet e shumta që padyshim ekzistojnë, por shumë pak trajtohen temat historike, temat rreth jetës në kryeqytet, rreth paraleleve mes Shqipërisë dhe Austrisë, Shqipërisë dhe Gjermanisë etj. Unë mendoj se libri do të hapë këndvështrime të reja, sepse zbulon shumë fakte që nga shumica nuk njihen fare.
Po ju vetë, e kuptoni Shqipërinë tani më mirë?
Kjo është disi relative. Çdo njeri ka këndvështrimin e tij rreth një vendi, për një moment mendon se e ke kuptuar mjaftueshëm, pastaj njeh dikë që ka prejardhjen prej atje dhe që e sheh vendin e tij komplet ndryshe. Për ta kuptuar një vend më mirë duhet të jetosh kohë shumë të gjatë aty dhe mbi të gjitha të flasësh gjuhën. Unë kam filluar të mësoj shqipen dhe mezi pres ta flas më shumë atë.
Njihni tashmë shumë shqiptarë, si ju duken ata?
Më shumë njoh shqiptarë në Kosovë e Shqipëri sesa në Austri, sidomos nga bashkëpunëtorët me disa prej të cilëve jam miqësuar dhe kam kontakt herë pas here. Në Vjenë njoh pak shqiptarë dhe shpresoj që nëpërmjet librit të njoh sa më shumë të tjerë. Më intereson shumë mendimi dhe përshtypja e tyre rreth librit, si nga ata të gjeneratës së dytë që shkojnë atje vetëm për pushime, por edhe nga ata që kanë lindur atje dhe jetojnë këtu (në Austri) për kohë të gjatë. Pra, jam shumë kureshtare të njihem me diasporën. Pyetja se si më duken shqiptarët është shumë e vështirë. Ndjej keqardhje kur shqiptarët e bëjnë këtë pyetje, sepse unë mendoj që shumica ka një mendim të gabuar rreth tyre, i cili duhet korrigjuar. Austriakët psh. priten shumë pozitivisht në Shqipëri, ndërkohë që unë mendoj, po prit se ne kemi ekstremistë të djathtë që deri para pak kohësh ishin në qeveri. Kur eci me makinë nëpër Vjenë dhe lexoj pllakatet e fushatave ekstremiste dhe ksenofobe më kujtohet që racizmi këtu është në një nivel shumë të lartë dhe shoqëria ime shqiptare mbetet shpesh e shokuar për këtë fakt.
Ndodhet Shqipëria më pranë Evropës nga ç´ mendohet?
Për mua kjo ka qenë gjithnjë shumë e qartë dhe këtë do ta tregojë dhe libri im se sa paralele ekzistojnë mes Ballkanit dhe Evropës në përgjithësi, duke filluar kjo që nga Habsburgët vetë, nga emigrimi dhe lidhjet e shpeshta, sepse shqiptarët kanë emigruar ndër shekuj në Evropë. Gjithashtu sipas sondazheve, Shqipëria është vendi më pro-evropian në Ballkan. Një tjetër shenjë e qartë për mua është fakti që shqiptarët flasin shumë gjuhë të huaja. Të them të drejtën më ka befasuar kjo kur nëpër intervista papritur fliste dikush gjermanisht. E kemi mësuar nga televizioni thoshin, ndërkohë që përmendnin të njëjtat emisione dhe kukulla të cilat i kam parë dhe unë në fëmijërinë time. Njerëzit atje njohin shumë nga diaspora dhe Austria, gjë që më bëri ta ndjej shumë lidhjen midis vendeve, por fatkeqësisht këtë e dinë shumë pak në Austri. Askujt s`i bie në mendje që ka aq shumë të përbashkëta si nga gjuha, marrëdhëniet familjare, arsimi, puna etj.
Në cilat fusha ka nevojë të madhe për ndryshim dhe përmirësim Shqipëria? Si janë shanset e saj për t’u bërë anëtare në BE? Sa realiste është kjo?
Kjo pyetje mund të përgjigjet pa frikë me PO. Ka një kohë shumë të gjatë që nga 2004 kur është hapur perspektiva e BE-së dhe populli e përkrah këtë me entuziazëm gjë që është mjaft pozitive. Shumë shtete në Ballkan, për sa i përket kësaj pyetje janë të përçara dhe nuk e kanë të përcaktuar drejtimin ku duan të shkojnë si p.sh. Serbia, Maqedonia e Veriut etj. Një përçarje të tillë nuk e kam parë në Shqipëri, të paktën sondazhet nuk janë kontradiktore. Por ekzistojnë dy pyetje të mëdha: e para, nuk është e qartë si dhe me çfarë ndryshimesh mund të arrihet deri aty. BE-ja e cila ndodhet vetë në një krizë po ashtu nuk është mjaft “unisono”, sepse një herë shprehet nën Junkerin që në 2025 hapet perspektiva dhe nga ana tjetër vjen papritur veto nga Franca. E dyta, ka të bëjë me ata që qeverisin dhe jo me popullin, sepse partitë e mëdha luftojnë kundra njëra-tjetrës për pushtet dhe jo për një qëllim të përbashkët, si p.sh. të vejnë në vijë më në fund “reformën e drejtësisë”, gjë kjo që e kam marrë vesh vonë, por që është shumë e rëndësishme. Kështu mund të fitohet nga qeveritarët besimi i popullit dhe BE-ja nuk ka vend më për të bërë gabime si me liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila i përmbushi kriteret, por nuk u arrit në konsensus.
Keni projekte të tjera në të ardhmen mbi Shqipërinë, Kosovën apo Maqedoninë e Veriut?
Deri në këtë moment jo, por logjika më e thjeshtë më çon te një libër mbi Kosovën.
Na i përshkruani shumë shkurt dy anë të ndritshme dhe dy të errëta të Shqipërisë?
Anët e dritës: Njerëzit, e posaçërisht të rinjtë, janë të hapur për gjithçka dhe ka ndryshime marramendëse. Anët e errësirës: Emigracioni dhe përballimi i të kaluarës.
Tirana, Prishtina, parkimi i makinës
Tiranën nuk e njihja fare dhe ndryshe nga Prishtina, ku njoh çdo cep, u hodha direkt në kaosin e madh të këtij qyteti, ndërkohë që javët e para hulumtova shumë në këmbë dhe me biçikletë. Gjëja e parë që mendova ishte: uau! Ku do të gjej një parking për makinën. Një nga temat qendrore të librit është përballimi konceptual i Shqipërisë me të kaluarën e saj.
Shqiptarët, më proevropianë se kombet e tjera të Ballkanit
Qëkur është hapur perspektiva e BE-së, populli në Shqipëri e përkrah këtë me entuziazëm. Shumë shtete në Ballkan, për sa i përket kësaj pyetje janë të përçara dhe nuk e kanë të përcaktuar drejtimin ku duan të shkojnë si p.sh. Serbia, Maqedonia e Veriut etj. Një përçarje të tillë nuk e kam parë në Shqipëri, të paktën sondazhet nuk janë kontradiktore.
Gjirokastra dhe zbulimi interesant i Musine Kokalarit
Në fakt, unë u nisa për në Gjirokastër me mendimin për të shkruar rreth Ismail Kadaresë. Në Gjirokastër u ndesha me historinë interesante të Musine Kokalarit, të cilës i dedikova pastaj muaj të tërë. Pra, në vend që të shkruaja rreth autorit më të njohur shqiptar, vendosa t`i dedikoj një kapitull, i cili është një nga më të preferuarit e mi, një shkrimtareje shqiptare që u harrua qëllimisht nga komunizmi.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?