Kosova
Gazetaria në promovim të destinacioneve turistike të Kosovës
Për magazinen Albinfo.ch, flasin tri gazetare që përmes platformave të tyre promovojnë Kosovën si destinacion turistik: Francesca Masotti, Ashley Colburn dhe Flora Xhemani Baba
Gazetarët që prodhojnë përmbajtje për destinacionet e reja turistike, sikurse është Kosova, kanë ndikim në promovimin e destinacioneve përmes mediave të tyre dhe besueshmërisë së profesionit të tyre. Përmbajtja e publikuar në media si rezultat i udhëtimeve të organizuara për gazetarë apo nga puna e gazetarëve individualë, që u përmbahen etikës dhe stilit të raportimit të gazetarisë, mund të ndikojë në flukset turistike dhe mënyrën se si perceptohen destinacionet.
Përveç raportimit, gazetarët luajnë një rol të fuqishëm edhe në mbrojtjen e dimensioneve të shumta të zhvillimit të turizmit në një destinacion të caktuar. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, çelësi për komunikimin e turizmit “është të rrëfesh tregime, të ofrosh këndvështrim më të gjerë të ndikimit ekonomik, social dhe mjedisor të turizmit”. Teksa njerëzit po priren gjithnjë e më shumë nga turizmi i përvojave, roli që luan promovimi i mediave edhe njëherë merr kuptim.
Pesha e mediave rritet për shkak të kovidit
“Media është faktor shumë i rëndësishëm për destinacionet e reja në botë, sidomos pas pandemisë së COVID-19, pasi tani duhet të mendojmë se shumë për turizmin e qëndrueshëm ndërkohë që sektori e rimerr veten. Mediat janë përçues i këtij promovimi,” tha Argjentina Grazhdani, Drejtoreshë e organizatës Swisscontact për Kosovën e cila menaxhon projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), që turizmin e ka një nga dy sektor në fokus të veprimtarisë së vet.
Projekti PPSE i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), që implementohet nga fondacioni zviceran Swisscontact, e mbështet sektorin për aktivitete që ndikojnë në rritjen e numrit të turistëve, të cilët shpenzojnë më shumë dhe qëndrojnë më gjatë në destinacion, duke çuar kështu në më shumë të ardhura dhe punësim. Promovimi intensiv ndërkombëtar i turizmit është një nga mënyrat për ta arritur këtë. Shumë produkte të reja turistike të zhvilluara në Kosovë me mbështetjen e SDC-së kanë tërhequr vëmendjen e gazetarëve të huaj të specializuar për gazetarinë e udhëtimeve dhe turizmit dhe të mediave nga rajoni.
Për revistën Albinfo, flasim tri gazetare që përmes platformave të tyre promovojnë Kosovën si destinacion turistik.
Francesca Masotti, gazetare dhe autore, Itali, e cila sapo ka publikuar dhe librin-udhërrëfyes “Kosova: itineraret turistike në zbulim të vendit”.
Si e zbuluat Kosovën?
Ballkani më ka tërhequr gjithnjë, sidomos destinacionet e panjohura. Pasi vizitova Shqipërinë dhe Malin e Zi, disa vite më parë vendosa se kishte ardhur koha të eksploroja edhe vende të tjera në rajon dhe Kosova ishte një ndër to (pastaj, shkova në Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Bosnje e Hercegovinë, tani po planifikoj udhëtime të reja!).
Kur e vizituat Kosovën për herë të parë? Çfarë pritet dhe çfarë gjetët?
Vizitën e parë e bëra në prill 2018, një udhëtim me familjarë dhe miq. Vizituam Prishtinën dhe Prizrenin dhe rashë tërësisht në dashuri me Kosovën: që nga njerëzit deri tek vendet dhe ushqimi, të gjitha ma rrëmbyen zemrën. Duhet ta them me sinqeritet: kisha zero pritshmëri, por tani është një nga destinacionet e mia të preferuara të udhëtimit, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe e vizitoj sa herë që kam mundësi.
Nëse do rendisnit tre atraksionet kryesore në Kosovë, cilat do të ishin?
Prishtina, Prizreni dhe Gjakova. Edhe pse shumë njerëz nuk e pëlqejnë kryeqytetin e Kosovës, mua më duket shumë interesant. Ka një atmosferë të këndshme dhe shumë gjëra për t’u ofruar vizitorëve, që nga ngjarjet, ekspozitat, festivalet dhe arkitekturën unike. Prizreni është kryeqyteti kulturor i Kosovës dhe një nga qytezat më magjepsëse të Ballkanit, sipas meje. Gjakova më ka befasuar me pazarin e vjetër dhe Xhaminë e Hadumit, mahnitëse, një nga më të bukurat që kam parë ndonjëherë.
Çfarë e bën Kosovën destinacion të rrallë turistik për të gjithë?
Mendoj se fakti që është një destinacion turistik i pazakontë e bën të veçantë për të gjithë. Këtu mund të gjeni gjëra unike që e bëjnë Kosovën shumë interesante, sidomos për udhëtaret nga Evropa perëndimore, si për shembull xhamitë dhe kishat në të njëjtën lagje, bashkekzistenca e ndërtesave të kohës osmane dhe jugosllave, natyra e paprekur jo larg qyteteve, manastiret e fshehura nëpër pyje, ushqimi i shijshëm dhe jo i shtrenjtë.
Ju e keni vizituar Kosovën disa herë. Çfarë ju bën të ktheheni sërish?
Për mua është gjithnjë emocionuese të kthehem në Kosovë. Sa herë që e vizitoj vendin, përjetoj aventura të reja dhe kjo më nxit ide në punën time si gazetare. Si dhe njerëzit. Në Kosovë jetojnë njerëzit më mikpritës që kam takuar ndonjëherë dhe është kënaqësi të bisedoj me ta. Si udhëtare, unë do të rekomandoja që vizitorët të kalojnë sa më shumë kohë jo vetëm duke vizituar vendet e njohura, por edhe të eksplorojnë pikat më pak të njohura. Këshilla ime: merrni një kamera, hipni në makinë dhe përfshihuni në këtë vend të paeksploruar!
Ashley Colburn, producente, prezantuese dhe eksperte e udhëtimeve, SHBA
“Pata rastin ta eksploroj Kosovën gjatë xhirimeve të një emisioni televiziv në të gjithë vendin. E nisa udhëtimin duke mos e ditur se çfarë të prisja, por u mahnita me kuzhinën, natyrën dhe njerëzit mikpritës të mrekullueshëm të vendit. Udhëtimin e nisa në kryeqytetin e Prishtinës. Qyteti është i lehtë për të shëtitur në këmbë. Pamjet që ia vlen të shihen në kryeqytet janë Muzeu Etnologjik, NEWBORN, Katedralja e Shën Terezes, Biblioteka Kombëtare dhe Xhamia e Madhe e Prishtinës.
Ndalesa e radhës ishte në Prizren, një qytet i vjetër i adhurueshëm. Bëni një shëtitje poshtë lumit dhe mund të ndaleni pranë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për pamjet më të mira, vizitoni kështjellën e qytetit. Aty pranë, shkova me kajak përmes një kanioni dhe fillova të shoh se sa e mrekullueshme është natyra në Kosovë. Ka mjaft oferta në dispozicion për ata që duan të eksplorojnë natyrën.
Pjesa më e bukur e udhëtimit në Kosovë për mua ishte Gjakova – qytet simpatik, shumëngjyrësh dhe plot jetë! Pazari i Madh është vendi ku mund të gjeni zejtarë dhe artizanë që shesin veprat e tyre të artit. Xhamia e Hadumit ishte një nga xhamitë më mbresëlënëse të shekullit të 16 -të. Mund të kaloni orë të tëra duke parë të gjitha detajet e mahnitshme. Do të gjeni shumë njerëz që do të lëvizin me biçikletë rreth këtij qyteti dhe nuk mund të largoheni pa u ulur dhe shijuar një kafe apo çaj.
Udhëtimin e përfundova me ecje në malet e Rugovës pranë Pejës. Udhëtimi nëpër male është absolutisht i bukur dhe gjeni shtigje të mrekullueshme shëtitjeje. Peja gjendet në hyrje të kanionit dhe është një qytet tjetër i mrekullueshëm për ta eksploruar nëse keni kohë. Madje provova dhe zipline përmes kanionit! Kjo ishte një mënyrë e shkëlqyeshme për t’i dhënë fund udhëtimit tim!
Kosova është një perlë në Evropë që ende duhet zbuluar. Më pëlqeu të mësoja më shumë për vendin dhe të shikoja gjithçka që ai mund të ofrojë. I inkurajoj të tjerët të eksplorojnë Kosovën për ta përjetuar atë për veten e tyre”.
Flora Xhemani Baba, themeluese e revistës “Travel”, Shqipëri
Cili ka qenë udhëtimi juaj i parë si turiste në Kosovë dhe përshtypjet që krijuat?
Kosovën e zbuluam, ashtu siç na zbuloi Kosova neve, shtyrë nga dashuria për gjysmën e munguar dhe nga kureshtja se si kishin jetuar shqiptarët nga matanë kufirit, për ato pesë dekada që na kishin mbajtur të ndarë. Ka qenë fillimi i viteve 2000, kur rruga për në Kosovë ishte e gjatë dhe e mundimshme, përmes një infrastrukture të vështirë si ajo që më parë shtrihej aty ku sot është Autostrada e Kombit.
Përshtypjet e para, më shumë se turistike, pra, ndjesitë që merren nga zbulimi i një destinacioni të ri, ishin një lloj çmalljeje dhe dashuria e natyrshme për gjakun. Të vizitosh një destinacion të ri turistik ku banorët flasin gjuhën tënde, nuk mund të ndjehesh ndryshe veçse si në shtëpi. Si të gjithë shqiptarët e Shqipërisë edhe për ne, qytetet e para që vizituam ishin Prizreni dhe Prishtina, njërin pak për prakticitet gjeografik e pak për arsye historike dhe tjetrin sepse nuk ka kuptim të vizitosh Kosovën pa Prishtinën. Pastaj vazhdimësia e udhëtimeve ishte më shumë një rit i natyrshëm për të zbuluar Pejën, Gjakovën, tashmë si destinacione të mirëfillta e për interes turistik.
Çfarë e bën Kosovën një destinacion që ia vlen të vizitohet, sidomos për vizitorët nga Shqipëria?
Nga ana estetike, bukuritë e rralla natyrore që ka, por edhe trashëgimia kulturore që nga shqiptarët e Shqipërisë njihet pak ose aspak. Nga ana turistike, sepse ofron më shumë se Shqipëria në rrafshin e turizmit natyror dhe atij familjar dimëror. Nga ana profesionale sepse e ka ofertën turistike më të organizuar dhe shërbimin më të mirë.
Çfarë keni zbuluar në Kosovë që nëse mund të thuhet, ua ka rrëmbyer zemrën?
Në fakt ajo që na ka rrëmbyer zemrën, nuk është krejt me natyrë turistike, edhe pse një turist tërhiqet nga ajo që i mbetet më shumë ne mendje. Dhe nëse do ta vendosnim në këtë rrafsh ajo që na ka rrëmbyer më shumë zemrën janë njerëzit, njerëzit, njerëzit. Mikpritja e tyre të përlot. Kombinuar kjo me shqipen interesante, që bashkë më “slang”-et e saj ka pushtuar sot gjithë muzikën shqiptare, po ashtu “vjedhja” e të folmes “kosovare” në shumicën e zhargonit të përditshëm, mendoj se është një dukuri e një tërheqjeje të fortë, që duket se nuk na ka pushtuar vetëm neve.
Si e keni parë të zhvillohet turizmi në Kosovë?
Më mirë se në Shqipëri, pa asnjë diskutim. Ajo që më pëlqen për aq sa unë e njoh nga brenda është kujdesi për të ndërtuar një ofertë turistike autentike, e cila konsiston në nxjerrjen në pah të tipareve të vendit, gjë që Shqipëria po e ka shumë të vështirë ta bëjë. Në Kosovë nuk gjen kollaj restorante me fruta deti për të marrë shembull si ilustrim. Të gjitha njësitë gastronomike ofrojnë gatimet vendase, qofshin restorante luksoze, qofshin kuzhinë popullore, e shpejtë apo resorte e bujtina. Hotelet në rrafshin e tre-katër yjeve, para se të vrapojnë pas luksit, shikojnë të plotësojnë mirë listën e standardeve, gjë që në Shqipëri ndodh në kah të kundërt.
Zhvillimi i infrastrukturës turistike të paktën deri tani, nuk po dominohet nga ndërtimet masive por po bëhet përmes një plani ose kontrolli, gjë që ndihmon shumë në ruajtjen e autenticitetit të ofertës turistike.
Shtimi i alternativave në konsumimin e ofertës turistike, siç janë “Zip-linet” apo “Via Ferratat”, që u bashkëngjiten qendrave ekzistuese të skijimit në destinacionet dimërore, bën që turizmi të shtrihet edhe jashtë dimrit, stinë që Kosova e ka sezon të lartë, siç ka Shqipëria verën.
Cilat produkte turistike, aktivitete apo destinacione brenda Kosovës do të veçonit?
Nëse më lejohet të them, përveç turizmit të skive, që tashmë Shqipëria e njeh dhe e konsumon mirë për shkak edhe të mungesës së alternativave të shumta, unë do të veçoja këto produkte që ka investuar PPSE Swisscontact, që janë Zip-Linet dhe Via Ferratat, sepse ato e kanë bërë Kosovën mjaft tërheqëse por edhe unike në Ballkan. Edhe krijimi i produktit turistik në formën e tureve është një punë e shkëlqyer sepse ato janë edhe destinacion, edhe aktivitet, edhe produkt.
Një produkt turistik i mirëmenduar, e nxjerr në pah vlerën e një destinacioni më mirë se çdo vizitë e rastësishme, edhe sikur kjo vizitë të jetë një qëndrim me vlera të konsiderueshme financiare. Ta shkoqis; një familje që shpenzon 500 euro në një fundjavë duke qëndruar në resort turistik dhe një grup që shpenzon 500 euro duke zhvilluar një tur të kombinuar me hiking, fjetje në bujtinë, eksplorim shpellash, zip line ose via ferrata, viziton kisha e manastire që ndodhen në rrezen e tij të veprimit e blen produkte lokale tek vendasit, kanë një diferencë shumë të madhe mes tyre, me një avantazh të theksuar në drejtim të grupit, i cili përmes turit të tij, përveçse ka shpenzuar, ka njohur edhe Kosovën.
Sipas jush, ku duhet te investohet më shumë për zhvillimin e sektorit të turizmit në Kosovë?
Dalja e ofertës jashtë Brezovicës e Pejës, njohja e shqiptarëve të Shqipërisë me Gjakovën, Deçanin, Prishtinën, e cila është e gjitha për t`u zbuluar dhe shqiptarët e njohin vetëm përmes NEWBORN-it ku pinë kafe dhe kthehen mbrapsht, njohja e thellë e Prizrenit jo vetëm nëpërmjet xhamive, por edhe kishave, sepse edhe aty shqiptarët ndalojnë vetëm për kafe. Por kjo mund të bëhet vetëm përmes produktit turistik, ashtu siç është bërë deri tani me zonat e sipërpërmendura. Nëse do t`i lihet në dorë lëvizjes së lirë të njerëzve, ata do të vazhdojnë të pijnë vetëm kafe në Prizren e Prishtinë e do shkojnë për ski në Brezovicë e Pejë. Nëse do t`i ofrohet një tur i organizuar në qytete të tjera, përmes një agjencie të Shqipërisë apo Kosovës, që ai të mund ta prenotojë me një klikim në internet, atëhere po, mund të thuhet që po punohet më tej për zhvillimin e turizmit në Kosovë.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve