Kosova

Gashi: Panairi në Paris, urë lidhëse me bizneset shqiptare në diasporë

Ministri i Diasporës së Kosovës, Dardan Gashi në fund të vizitës së tij në Paris ka marrë pjesë në pritjen për bizneset e diasporës dhe ato të Kosovës në Ambasadën e Kosovës në këtë qytet.

E po ashtu njofton se ka takuar edhe nënkryetarin e qytetit të Parisit, Christophe Girard me të cilin ka diskutua për thellimin e bashkëpunimit kulturor, në veçanti në fushën e artit vizual, përcjell albinfo.ch.

“Kam qenë në Prizren dhe e kam vizituar DokuFestin…  është një festival i përmasave botërore, të cilin jam i vendosur  ta mbështes”, citohet të ketë thënë Girard, duke u shprehur i njohur për vështirësitë e kosovarëve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe duke premtuar se do të bëjë çfarëdo që mundet që të përçohet mesazhi i duhur te njerëzit e duhur.

Gashi ka thënë se nga takimet që pati me përfaqësuesit e bizneseve ka parë që panairi është treguar i suksesshëm, duke dhënë rezultat konkrete.

“Kjo është një shenjë inkurajuese që ta vazhdojmë këtë ndihmë për bizneset tona, të vendosim ura bashkëpunimi me bizneset shqiptare në diasporë dhe bashkërisht të punojmë për një mirëqenie sociale”, theksoi Gashi.