Integrimi

Garë mes shqiptarësh në zgjedhjet nacionale të Zvicrës

Në CVP-PDC të kantonit të St. Gallenit, kandidojnë dy politikanë shqiptarë. Prend Berisha dhe Veton Rasaj janë në listën e të rinjve të këtij subjekti politik

 

Zgjedhjet nacionale të Zvicrës pritet të regjistrojnë sivjet numrin më të madh të votuesve shqiptarë me të drejtë vote. Kjo për shkak se është rritur numri i kandidatëve me prejardhje shqiptare që figurojnë në pothuajse të gjitha listat e partive politike të Zvicrës.

Në partinë e kristian-demokratëve, CVP-PDC, të kantonit të St. Gallenit, kandidojnë dy politikanë me emra shqiptarë. Prend Berisha dhe Veton Rasaj janë në listën e të rinjve të këtij subjekti politik. Albinfo.ch i ka intervistuar dy politkanët e rinj dhe sjellë pikëpamjet e tyre politike për të ardhmen e Zvicrës.

Politikani i ri, Berisha është i fokusuar tek siguria, familja dhe e ardhmja e rinisë. Qëllimi i tij është forcimi i familjes në Zvicër. Familja është zemra e një shteti, thotë Berisha duke futur në slloganin e tij afishen „Me mend dhe zemër“.  „Për mua është e rëndësishme që të shikojmë përpara dhe shanset të cilat t`i ofron Zvicra, t`i shfrytëzojmë për ndërtimin e ardhmërisë sonë“, deklaron Berisha që krahas punës se afarist tregtar, vazhdon të ndjekë maturën profesinale.

Prendi, me numrin 7 në listën zgjedhore

Unë shpresoj që përmes angazhmit tim, të rinjtë të interesohen më shumë për politikë, thotë 22 vjeçari që figuron me numër shtatë në listën e parë të të rinjve të CVP-së për kantonin St. Gallen.„Si një djalë i ri, dinamik dhe i motivuar, dua të vë theksin e të tregoj një shenjë që siguria në Zvicër në çdo fushë duhet të garantohet. Për të garantuar këtë, ne kemi nevojë për më tepër resurse dhe për këtë unë do të angazhohem me të gjitha mundësitë e mia“, deklaron presidenti i të rinjve në Wil –Untertoggenburg, Prend Berisha.

Po ashtu politika ndaj azilit është një pikë e rëndësishme për të. „Në rrugën time politike dua të anagazhohem për një proces fer të azilkërkuesve pa pasur nevojë të zvarriten kërkesat e tyre“, potencon kandidat i partisë që  mbështetet në vlerat kristiane.

Rreth fushatës së tij elektorale thotë të ketë marrë shumë reagime që i japin shpresë për një rezultat pozitiv. „Unë kam marrë deri më sot shumë reagime pozitive për kandidaturën time. Votuesve ju pëlqen që njerëzit e rinj interesohen për politikë dhe angazhohen për Zvicrën, mbi gjitha tek njerëzit me rrënjë migrimi“.

“Edhe pse quhem Berisha dhe jo Meier, përfaqësoj vlerat zvicerane”

Megjithë reagimet pozitive Prend Berisha është i vetëdijshëm se nuk do ta ketë të lehtë t`i marrë votat si politikan me rrënjë migracioni. „Mbase në fillim do të jenë pak skeptik ndaj meje ngase unë quhem Berisha dhe jo Meier, por është fakt“, vlerëson ai, „që edhe unë jam rritur dhe jetoj në Zvicër sipas këtyre vlerave“.

Por si u bë që në listën e të rinjve të CVP-së të kandidojnë dy politikanë me prejardhje shqiptare, e pyesim Prendin, a nuk do të ndikojë kjo që votuesit e mundshëm shqiptarë të hamenden kujt t’ja japin votën?.

Për mua është nder të jem në një listë me një kandidat, i cili e ka prejardhjen e njëjtë si timen“, deklaron për albinfo.ch, Berisha për kolegun e tij, Veton Rasajn. Fundja kjo s’ka rëndësi, tek të rinjtë e CVP-së është çdonjëri i mirëseardhur dhe prejardhje nuk luan rol. „Ne jemi të gjithë shokë të mirë dhe fitimi i zgjedhjeve për ne është dytësor, ngase për ne me rëndësi është që shtetaset dhe shtetasit të shohin se ne jemi, ne angazhohemi. Megjithatë secili votues mund të japë dy vota, kështu që mund ta japë një për Vetonin dhe një për Prendin, përfundon ky i fundit.

Vetoni ka filluar me politikën si 16 vjeçar

Ndërsa kolegu i tij, Rasaj është një politikan i ri që ende s’i ka mbushur të njëzetat, por që sjellë një përvojë trivjeçare në politikë.

“Nga mosha 16 vjeçare kam filluar të merrem me politikë, tregon ai. Fillimisht jam angazhuar si anëtar dhe prej dy vitesh kryesoj partinë e të rinjve JCVP për qytetet St.Gallen-Gossau-Rorschach, shprehet Veton Rasaj me nënën kumanovare dhe babanë nga Peja.

Rasaj angazhohet në këtë parti politike me bindjen se të rinjtë ishin dhe janë lokomotiva e të ardhmes për ndryshimet kryesore në botë. Nisur nga kjo bindje, ai ka gjetur motivin dhe forcën për t’ju bashkangjitur këtij subjekti politik për t’u bërë pjesë e ndryshimeve globale.

Mbështetjen dhe kontaktet tek rinia vendëse i kërkoj përmes takimeve, shprehet kandidati me numër 12 në listën e parë të të rinjve të CVP-së.

“Fushata ime elektorale është modeste dhe bazohet në takime të shumta, sidomos me të rinjtë dhe të rejat e kantonit St. Gallen”, thotë Rasaj duke pritur dhe shpresuar që përkrahjen më të madhe ta marrë pikërisht nga të rinjtë e kantonit. Gara politike mes të rinjve të subjektit politik CVP, nga ai nuk shihet si rivalitet.

“Më gëzon tej mase fakti që ne, të rinjtë shqiptarë e kemi fituar besimin e partive zvicërane për të qenë të përzgjedhurit e tyre në zgjedhjet nacionale të tetorit”, shprehet studenti i ekonomisë informatike në St. Gallen.

Një votë për Prendin e nje për Vetonin

 „Ne jemi të gjithë shokë të mirë dhe fitimi i zgjedhjeve për ne është dytësor, ngase për ne me rëndësi është që shtetaset dhe shtetasit të shohin se ne jemi, ne angazhohemi. Megjithatë secili votues mund të japë dy vota, kështu që mund ta japë një për Vetonin dhe një për Prendin, përfundon ky i fundit.