Lifestyle

Gaga thotë se nuk do të bashkëpunojë më me R.Kellyn

Këngëtarja Lady Gaga ka thënë se do ta largojë një duet, të cilin e ka incizuar me këngëtarin e muzikës R&B, R.Kelly, nga të gjitha platformat digjitale, dhe se kurrë më nuk do të bashkëpunojë me të.

Ajo ka shkruar në Twitter pas shfaqjes në televizion të një dokumentari, ku disa femra e akuzojnë R.Kellyn për sulm seksual, nganjëherë edhe me femra të mitura.

52-vjeçari Kelly nga Chicago dhe producenti muzikor, i njohur për hite të shumta, përfshirë këtu këngën “I Believe I Can Fly”, ndër vite i ka mohuar akuzat për abuzim seksual, përfshirë edhe akuzat e femrave të përfshira në dokumentarë.

Fituesi i çmimit Grammy po ashtu ishte gjykuar dhe shpallur i pafajshëm ndaj akuzave për pornografi me fëmijë në Chicago në vitin 2008.

“Qëndroj 100 për qind prapa këtyre femrave, ju besoj plotësisht atyre dhe e di që janë duke vuajtur dhe në dhimbje të tmerrshme emocionale e fizike. Po ashtu, mendoj që zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të merret seriozisht”, ka shkruar Gaga në mesazhin e saj në Twitter, duke shtuar tutje se planifikon të ndërmarrë masa për largimin nga platformat muzikore të këngës, “Do What U Want (With My Body)”, të lansuar bashkë me R.Kelly-in në vitin 2013.