Fotolajmi

G20: Bisedë me sfond mospajtimesh të thella

Për këtë takim çështjet e klimës dhe të tregtisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj janë hapur në një atmosferë shumë të tensionuar.

Krerët e shteteve dhe qeverive të G20-ës kanë filluar të premten që nga ora 10:30 në Hamburg takimin dyditor dhe diskutimet parashikohen të jenë të stuhishme, për shkak të tensionit të fortë në muajt e fundit në mes të Uashingtonit dhe partnerëve të saj në lidhje me çështjet e klimës dhe të tregtisë. Takimi i shumëpritur është ai që do të zhvillohet mes Donald Trump dhe Vladimir Poutinit.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të dalë nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe politika proteksioniste e mbrojtur nga presidenti amerikan kanë reduktuar në masë të madhe fushëveprimin e këshilltarëve diplomatikë që shpresonin se do të arrijnë një deklaratë të fortë përfundimtare të përbashkët.

Negociatat klimatike dhe tregtia janë bërë “shumë të vështira”, tha një diplomat, i cili pranon se nuk do të jetë e lehtë për të arritur një deklaratë të përbashkët pas këtij samiti, i cili premton se do të jetë një nga më konfliktuozët gjatë viteve të fundit.
Tensionet janë rritur me të vërtetë që prej ardhjes në pushtet në janar të Donald Trump-it, i cili menjëherë  është marrë radhazi me  Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), me përfitimet tregtare të Gjermanisë dhe mbiprodhimin e çelikut nga Kina.

KEYSTONE

Takim diskret Merkel – Trump

Shenjën për  tensionin në rritje e ilustrojnë fjalët e kreut të  diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel, i cili ka nënkuptuar se miratimi nga administrata amerikane e masave për eksportet evropiane mund të shkaktojë një luftë transatlantike të tregtisë. Duke u munduar për t’iu shmangur një fiasko diplomatike, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, kancelarja gjermane, nga ana e saj, ka shtuar iniciativat diplomatike ditët e fundit. Pasi që ka dërguar këshilltarin e saj të lartë ekonomik në Uashington për bisedimet përfundimtare, Angela Merkel është takuar me Donald Trump të enjten në mbrëmje për një orë në një hotel të Hamburgut, në prag të samitit. Të dy udhëheqësit u shfaqën të buzëqeshur në fillim të intervistës, për të cilën shumë pak detaje kanë rrjedhë jashtë. Kancelarja gjermane është kufizuar duke siguruar se ajo “do të bëjë gjithçka që të jetë e mundur për të gjetur kompromise”.
Sipas disa burimeve të njoftuara për këto diskutime, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ushtrojnë presion për të bërë që karburantet djegëse të konsiderohen si alternativë e besueshme e energjisë së pastër, një kërkesë që do ta kundërshtojnë evropianët.
Në lidhje me çështjen e tregtisë, Washingtoni, i cili pati pranuar pas negociatave intensive për të përfshirë në komunikatën përfundimtare të majit (G7 në Taormines) luftën kundër proteksionizmit, thuhet se është kthyer përsëri prapa në takimin e G20-ës.

Takime të shumta bilaterale

Përtej pikave të rendit të ditës, siç janë  klima, tregtia dhe lufta kundër financimit të terrorizmit, dita e të premtes do të shënohet me takimin e parë të shumëpritur në mes të Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Donald Trump do të takohet gjithashtu në margjina me homologun e tij kinez, Xi Jinping, të cilit i bëri thirrje  këto ditë, me terma pak a shumë diplomatikë, që të përdorë ndikimin e tij ndaj Koresë së Veriut pas gjuajtjes së të mërkurës së kaluar.
Përmasa të shtuara të sigurisë janë ndërmarrë në Hamburg, ku priten rreth 100.000 protestues anti-G20. Ndërsa bëhet e ditur se përleshje të ndryshme tashmë kanë shpërthyer mes policisë dhe demonstruesve. Sipas një vlerësimi fillestar, 75 të lënduar lehtë  janë regjistruar në radhët e policisë.