Futboll

Futbollisti shkupjan hero i ndeshjes në Kroaci

Në një ndeshje që nuk do të harrohet lehtë, futbollisti shkupjan Samir Fazliu, i cili ka qenë pjesë edhe ekipit zviceran FC Wil, ndërsa tani në fanellën e Rudeshit në Kroaci, ka shënuar hat-trik duke i siguruar pothuajse ekzistencën në ligë ekipit kroat.

Në javën e 32-të të Kampionatit kroat, futbollistët e Rudeshit fituan ndaj ekipit Cibalia nga Vinkovci me rezultat 3:2, me dy gola të shënuar në minutat shtesë.

Në mënyrë dramatike dhe të pabesueshme, ekipi i Rudeshit pothuajse ka siguruar ekzistencën, në një ndeshje e cila epilogun e fitoi në minutat shtesë.

Hero i ndeshjes padyshim ishte shkupjani Samir Fazliu, i cili fillimisht shënoi në minutën 7, ndërsa mysafirët barazuan në minutën shtesë të pjesës së parë.

Rrjetat pushuan deri në minutat e fundit, kur mysafirët erdhën në avantazh në minutën 91.

Pas kësaj, futbollisti shqiptar u përkujdes për një dramë të vërtetë në fushën e gjelbër, duke shënuar dy gola të shpejtë në minutat shtesë për të vendosur rezultatin përfundimtar 3:2.