Integrimi

Futboll në rrugë me rrethoja të bëra në Kosovë

Në mes të qytetit Rorschach, me rrugë të bllokuara e me dhjetëra fëmijë e prindër iu kishin përgjigjur ftesës së një grupi pune, kryesisht shqiptarë, për të luajtur futboll aty ku zakonisht qarkullojnë automjetet

Një çifti ri me prejardhje nga Gjilani ka gjetur mënyrën e komunikimit me zviceranët. Afrimi dhe Ajetja gjatë tërë ditës së shtunë ishin dyshja më e kërkuar në Rorschach. Dhe atë në mes të qytetit, me rrugë të bllokuara e me dhjetëra fëmijë e prindër që iu kishin përgjigjur ftesës së tyre dhe një grupi të tëre pune, kryesisht shqiptarë, për të luajtur futboll aty ku zakonisht qarkullojnë automjetet.

Për këtë eveniment, komuna u dashtë të vendos tabela gjithandej me mbishkrimin stop makinave, sot këtu e tutje fëmijët luajnë futboll.

Pra, në një lagje të mbyllur në mes te qytetit luhej futboll brenda një rrethoje të bërë enkas për këtë në Kosovë.

Aty fëmijët tregonin më tepër se talentin, dëshirën që kanë për futbollin. Luhej pa kompromis, fitorja për secilin ishte në qendër të vëmendjes, dhe jo vetëm tek fëmijët, edhe prindërit treguan në një moment aftësitë e tyre. „Fëmijët e mëdhenj“ në këtë rast ishin nëpunësit komunalë që luanin kundër prindërve. Rezultati ishte dytësor. Më rëndësi që fëmijët po kënaqen, me tha një polic që nuk ishte në detyrë. Me ardhjen e fëmijëve, kanë ardhë dhe prindërit e tyre dhe kështu krijohet mundësia për komunikim e për të njohur njëri tjetrin më për së afërmi, u shpreh ai me kushtin që të mbetet anonim.

„Qëllimi i organizimit të këtij turniri në rrugë synon të afrojë qytetarët për një bashkëjetesë më të mirë, që të kenë mundësi të përjetojnë diçka tjetër pranë shtëpive të tyre“ u shpreh Anna Dietsche koordinatore për integrim në këtë qytet.

Futbollin në rrugë, ajo e sheh, thjeshtë si diçka speciale që ngre vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve të rastit kur shihet se për një ditë rrugët nuk i takojnë më makinave por fëmijëve. Reagimi i qytetarëve është shumë pozitiv thotë ajo. Ky eveniment ka tri vite që ka marrë bekimin e nëpunësve komunalë. Madje ata i ke aty bashkë me fëmijë. Dy vitet e para në fillim, qyteti ka financuar këtë projekt, tani organizatorët me ndihmën e sponsorëve vetëfinancohen. Kurse qyteti qëndron prapa si garantues në rast të deficitit.

„Me rreth 150 fëmijë të angazhuar dhe 50 të tjerë në turnir shihet që qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e këtij turniri. Është një projekt që i bashkon të gjitha kombet dhe nuk i intereson askujt kush çka është e çka bën. Është absolutisht organizim për kënaqësi të fëmijëve“, thotë mes tjerash Afrim Maliqi, gjer sa e shoqja e tij Ajetja kujdeset që ky organizim të shkoj mbarë jo vetëm në fushë, por edhe skaj saj mes stendave që ofronin ushqim, por edhe informacione rreth organizimit të jetës socialo-kulturore në Rorschach.

„Ky projekt është ndryshe nga të tjerët sepse, këtu në rrugë mund të luajnë të gjithë, edhe ata që nuk janë futbollist e që nuk merren me sport“, shprehet ai.

„Streetsoccer“, siç quhet ndryshe nga organizatorët, u tha se është për të gjithë pa dallim, ani pse i tërë organizimi është në duar të banorëve shqiptarë të këtij qyteti. Kjo nuk ka qenë asnjëherë pengesë e pjesëmarrësve e komunarëve dhe as 34  sponsorëve për ta mbështetur këtë projekt, i cili ka gjallëruar qytetin buzë liqenit Bodensee.

Bekim Dalipi