Fushatë kundër çmimeve enorme të qirave të banesave

Në dhjetë vitet e fundit, çmimet e qirave të banesave në qytete dhe rrethina janë rritur për rreth 60%

Partia Socialdemokrate e Zvicrës ka prezantuar sot fushatën kundër çmimeve të larta të banesave me qira. Në dhjetë vitet e fundit, çmimet e qirave të banesave në qytete dhe rrethina janë rritur për rreth 60%, ndërsa çmimet për blerjen e banesave janë madje 80% më të larta, thonë iniciuesit e fushatës.

Sipas kësaj partie, shkaqet për ngritjen e madhe të çmimeve të qirave të banesave qëndrojnë në mungesën e banesave të lira si dhe në qëndrimin e pronarëve të tyre për të nxjerrë fitime enorme nga to.

Kryetari i SP-së Christian Levrat ka tërhequr vërejtjen se „nëse ne tash nuk bëjmë asgjë kundër ngritjes galopante të çmimeve të qirave, Zvicra do të gjendet para kërcënimit të erozionit social”. Sipas tij, Zvicra kërcënohet kështu nga një „apartheid social”.

Për këtë arsye Levrat dëshiron që lidhur me këtë problematikë ta sensibiloizojë edhe Bernën zyrtare. Ai do të ushtrojë një interpelancë në sesionin pranveror të punimeve të Parlamentit Federal.