Integrimi

Fushat e diskriminimit në Zvicër dhe në vendin e prejardhjes

“Askush nuk guxon të diskriminohet për shkak të prejardhjes, racës, gjinisë, moshës, gjuhës, pozitës shoqërore, formës apo mënyrës së jetës, të bindjeve botërore, politike dhe fetare ose për shkak të një paaftësie fizike dhe psikike”, thuhet në nenin 8 të Kushtetutës së Konfederatës së Zvicrës.

Fjala “diskriminim” rrjedh prej gjuhës latine (diskriminuare) dhe ka kuptimin e “ndarjes”, “bërjen e dallimit”, “përjashtimit”. Diskriminimi social nënkupton rastet kur njerëzve nuk iu jepet çka iu takon dhe atë duke u bazuar në tiparet specifike, si prejardhja nacionale dhe etnike, ngjyra e lëkurës, bindjet politike dhe fetare, gjuha, orientimi seksual, gjinia, mosha ose paaftësia fizike dhe psikike. Bazë e çdo diskriminimi është konstruksioni i dallimit mes njerëzve dhe grupeve. Në shumicën e rasteve dallimi dhe vlerësimi – zakonisht negativ – bëhet nga një grup shumicë, i cili dikton rregullat, vlerat dhe normat shoqërore, p.sh. shtetas i vendit, i bardhë, burrë, i shëndoshë, i punësuar dhe produktiv, i krishter, etj. Me këtë diskriminohen të gjithë ata që nuk u përgjigjen normave dominuese. Zakonisht një pakicë e caktuar e njerëzve.

Fushat e ndryshme ku paraqitet diskriminimi

Diskriminimi si fenomen paraqitet gati në të gjitha fushat e jetës shoqërore, duke filluar nga puna dhe ngritja profesionale, në shkollim, banim, në media, politikë, kohën e lirë dhe veprimtaritë kulturore. Pra, edhe demokracitë e zhvilluara ballafaqohen me këtë fenomen tejet negativ. Në mesin e tyre edhe Zvicra. Diskriminimi si dukuri negative nuk është gjithmonë diçka i qëllimshëm dhe sistematik. Një analizë e fushave ku paraqitet diskriminimi dhe kuptimi i mekanizmave të veprimit janë hap i parë drejt zhvillimit të instrumenteve për zbutjen e pasojave negative dhe dëmeve për bashkëjetesën paqësore, drejt një shoqërie më të drejta, e cila ofron shanse të barabarta për të gjithë, pa marrë parasysh prejardhjen, gjininë, racën, bindjet politike e fetare, etj. Përpara se t’i analizojmë fushat e diskriminimit, duhet të kuptojmë se si paraqitet diskriminimi dhe cilat janë format e ndryshme, të cilat janë të njohura.

Llojet e ndryshme të diskriminimit

Siç e pamë edhe më lart, diskriminimi nuk është gjithmonë i qëllimshëm. Mirëpo, në një numër të konsiderueshëm të rasteve diskriminimi është pjesë e sistemit dhe paraqitet në forma të ndryshme.

Diskriminimi i drejtpërdrejtë

Është diskriminim i qëllimshëm. Kjo dukuri vjen në shprehje te shpalljet për vende të punës apo banesa, të cilat përmbajnë formulime si: vetëm për zviceranë apo shtetas të vendeve të BE-së. Shumë drastike janë formulimet kur thuhet se nuk pranohen kandidatë prej vendeve të Ballkanit. Shembull tjetër janë ndalimet për të hyrë në klube dhe lokale të ndryshme në disa qytete të Zvicrës gjermanofolëse, ku aplikohen kriteret si leja e qëndrimit, prejardhja, ngjyra e lëkurës etj. Në lokalin ARTCAFE në Bernë kanë mundur të hyjnë vetëm njerëzit me leje të qëndrimit C dhe shtetësi zvicerane.

Diskriminimi indirekt

Ky lloj i diskriminimit është më i fshehtë, sepse bëhet zakonisht nëpërmjet rregullave dhe kritereve „objektive“. Shembull konkret janë shpalljet për vende të punës, në të cilat si kriter kërkohet gjermanishtja apo frëngjishtja si gjuhë amtare. Zakonisht të huajt, edhe të gjeneratës së dytë dhe të tretë, rrallë e shënojnë gjuhën e vendit si gjuhë amtare. Për të huajt e gjeneratës së parë kërkohet për shembull njohja e një dialekti lokal. Edhe ky është diskriminim indirekt.

Diskriminim i qëllimshëm dhe me vetëdije (ideologji e caktuar)

Kjo formë drastike e diskriminimit të hapur është më e rrallë. Njerëzit apo grupet të cilat diskriminojnë kanë bindje të qarta dhe nuk i fshehin ato. Përkundrazi!

Një qytetare me lëkurë të zezë aplikon për vend pune në një shtëpi të pleqve në Morges. Drejtoria e refuzon punësimin e saj me arsyetimin se nuk mund t’i ballafaqojnë banorët e shtëpisë së pleqve me një punëtore me lëkurë të zezë.

Rasti tjetër ka ndodhur në Cyrih. Ndërmarrja APS-Reinigungen nga Cyrihu refuzon punësimin e një shtetase zvicerane me prejardhje nga Maqedonia. Pronari i shkruan qendrës regjionale për punësim se nuk punëson shamia.

Diskriminim i „pa të keq“ nga mosdija

Një numër i dukshëm i diskriminimeve në Zvicër nuk bazohen në ideologji, por janë shprehje e mosdijes, frikës së paqartë, agresioneve, paragjykimeve dhe mungesës së empatisë.

Diskriminim i shumëfishtë

Diskriminimi paraqitet shpesh në forma dhe dimensione të shumta. I njëjti person apo grup mund të përballet me diskriminim të shumëfishtë. Për shembull: një femër, me ngjyrë të zezë të lëkurës dhe e moshës së shtyrë nuk pranohet në vend të punës për një ose të gjitha arsyet. Ose, një i ri i gjinisë mashkullore, i ngjyrës së zezë të lëkurës dhe veshmbathjes së stilit hip-hop ndalohet nga policia dhe kontrollohet për drogë, pa arsye objektive.

Diskriminim institucional

Nocioni apo termi «Racizmi institucional» është përdorur për herë të parë në SHBA në vitet e ‘60-ta. Kjo formë e diskriminimit del në shesh në procedurat dhe rrjedhat rutinore, të cilat e çimentojnë privilegjin e ndonjë grupi (në fuqi) ndaj një grupi tjetër, duke e vështirësuar ose pamundësuar kyçje në profesione, shërbime dhe të drejta të caktuara. Si shembuj mund të marrim të drejtën e votës vetëm për shtetas të Zvicrës apo shtetësinë si parakusht për punë dhe profesion të caktuar dhe të ngjashme. 

Diskriminimi në botën e punësimit

Vendi i punës është shumë i rëndësishëm për integrimin e migrantëve në shoqëri. Aty jo vetëm që prodhohet dhe ndërtohet, por lidhen edhe kontaktet, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në mirëqenien e personit. Shpesh puna është arsyeja kryesore për lejen e qëndrimit. Kur të merret parasysh rëndësia e vendit të punës, atëherë mund të marrim me mend se çfarë pasoja negative ka diskriminimi, pa marrë parasysh qëllimet, format dhe mënyrat e paraqitjes. Diskriminimi në botën e punës paraqitet në të gjitha fushat e punësimit, duke filluar nga aplikimi për vend të punës e deri në pagë dhe përparim në karrierë.

Në punësim, karrierë dhe pagë

Shumë ndërmarrje bëjnë përjashtimin e personave dhe grupeve të caktuara nga vende të caktuara të punës, duke praktikuar procedura dhe kushte të aplikimit, të cilat krijojnë shumë pengesa gati të pakalueshme për migrantët: gjuha amtare gjermanisht ose frëngjisht, diploma federale, moshë të caktuar etj. Problem më të madh për të gjetur vende për mësimin e profesionit kanë të rinjtë e huaj, të cilët e kanë shumë më vështirë të gjejnë një ndërmarrje e cila ua jep shansin për të mësuar zanatin. Diskriminimi për shkak të prejardhjes dhe emrit është shumë i lartë në Zvicrën gjermanofolëse. Por, edhe në pjesën frankofone të rinjtë prej Ballkanit përballen me diskriminim.

Ndërmarrjet diskriminojnë të huajt edhe duke i anashkaluar ata nga procesi i planifikimit të karrierës, sidomos me rastin e ndarjes së posteve me përgjegjësi. Kjo zakonisht bëhet në mënyrë indirekte, duke iu pamundësuar të huajve të  kyçen dhe të marrin përgjegjësi për projekte, të cilat mundësojnë paraqitjen publike dhe rrjetëzimin (referate, grupe pune etj). Mosnjohja e diplomave dhe aftësive praktike është gjithashtu një problem, i cili ndikon edhe në lartësinë e pagës. Në këtë të fundit ndikojnë edhe statusi i qëndrimit dhe prejardhja gjeografike. Hulumtimet tregojnë se sa më i pasigurt statusi i qëndrimit, aq më e pavolitshme paga. Ndikim në pagë ka edhe prejardhja gjeografike. Pagat më të ulëta i marrin migrantët prej Afrikës (deri në 40% më pak). Por, edhe migrantët nga vendet tradicionale të migracionit (Italia, Spanja, Portugalia, Ballkani, etj., kanë paga më të ulëta se kolegët dhe koleget e tyre zviceranë.

Dëm edhe për shëndetin

Pozita në vendin e punës ndikon edhe në shëndetin. Shumica e migrantëve gjendet në shkallën më të ulët të hierarkisë në ndërmarrje dhe në shoqëri. Ata shpesh përfundojnë në vendet e punës me rreziqe të dukshme për shëndetin nga sëmundjet profesionale, fatkeqësitë etj. Sidomos në ndërtimtari, artizanet, hoteleri dhe restorante, industri, montazh etj. 

Fushat e tjera të diskriminimit

Shkolla dhe shkollimi sidomos në seleksionimin për shkollim të mëtejmë (SEK, GYMi, Reale).  Migrantët e kanë vështirë të gjejnë edhe banesa të përshtatshme. Jo vetëm individët, por edhe shoqatat e tëra kanë vështirësi të gjejnë lokale të përshtatshme për aktivitetet e tyre. Shpesh ata përballen me akuza dhe paragjykime nga më të ndryshmet. Një politikë e tillë e diskriminimit çon deri te formimi i getove me shifra të lartë të të huajve të koncentruar në një lagje të caktuar.

Roli i mediave dhe diskriminimi social

Mediat luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e bindjeve, mendimeve dhe imazheve të caktuara. Me bulevardizimin e mediave, tendenca e thjeshtëzimit dhe personifikimit është duke u rritur dhe ndikon në mënyrën e raportimit. Artikujt e botuar përmbajnë elemente akuzuese, tipizuese dhe plot paragjykime ndaj të huajve. Migracioni në media ka konotacion negativ dhe problematik dhe shumë rrallë gjendet ndonjë artikull, i cili vlerëson lart migracionin. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë vetëm në kuptimin ekonomik, p.sh. në lidhje me qarkullimin e lirë me BE-në, përparësitë që sjell kjo për ekonominë e Zvicrës.

Mbrojtja prej diskriminimit

Barazia e të gjithë njerëzve përpara ligjit dhe mbrojtja prej diskriminimit janë e drejtë e përgjithshme e njeriut, e cila është e njohur nga Konventa dhe Deklarata të ndryshme ndërkombëtare.

Neni i 2 i Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat e njeriut e vitit 1948 thotë: Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh për sa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër.  Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i  pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jovetëqeverisës ose që gjendet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit”.   

Në Zvicër mungon një ligj kundër diskriminimit

Pasi që në Zvicër mungon një ligj kundër diskriminimit, ligji shpesh mbështetet në konventat e ndryshme ndërkombëtare. Por, disa prej tyre Zvicra ende nuk i ka ratifikuar. Andaj, hap i parë për mbrojtjen e migrantëve do të ishte ratifikimi i Konventës së OKB-së për të drejtat e punëtorëve migrantë dhe familjeve të tyre dhe ratifikimi i shpejtë i Normave të Organizatës ndërkombëtare të punës (ONP-ILO) në lidhje me migrantët dhe diskriminimin. Në nivel nacional duhet kërkuar me këmbëngulje një ligj kundër diskriminimit (ekuivalent me ligjin për barazi të gjinive). Në fushat praktike në nivel nacional duhet lehtësuar procedurat për njohjen e diplomave dhe aftësive profesionale (validation des acquis) dhe siguria e qëndrimit për njerëzit me prejardhje nga shtetet jashtë Bashkimit Evropian.

Partnerët socialë (sindikatat dhe punëdhënësit) nga ana e tyre, në përpilimin e kontratave kolektive të punës mund të parashohin dispozita të cilat ndalojnë diskriminimin e punëtorëve në degët, për të cilat vlen Kontrata e përgjithshme e punës KPP. Shembuj konkretë ekzistojnë: Kontratat kolektive të hekurudhave (SBB/CFF), Posta, Sëisscom dhe Kontrata e përgjithshme e punës për ndërtimtarinë (LMV/CN/KPZ).

Diskriminimi i mërgatës nga vendet e prejardhjes

Një formë e diskriminimit të diasporës ka të bëjë edhe me vendet e prejardhjes. Për bashkëkombësit tanë në Luginën e Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, shteti serb ende ndjek politikën e saj kundër shqiptarëve. Në Maqedoni janë bërë disa përparime, por edhe atje vendos një shumicë sllavo-maqedonase. Ndërsa në Kosovë kemi të bëjmë me strukturë dhe institucione, shumicën e të cilës e udhëheqin shqiptarët. Në diasporë mbretëron ndjenja se shtetet e prejardhjes sjellin vendime dhe votojnë ligje, të cilat prekin edhe interesat e diasporës, pa e konsultuar atë dhe pa u dëgjuar zëri i saj. Kjo formë e paternalizmit është tejet e theksuar në trojet prej nga vijnë shqiptarët.

Shembuj më të rinj e vërtetojnë këtë. Në Kosovë debatohet për Ligjin për diasporën. Prej projektligjit e deri te debati krejt diskutimi dhe vendimmarrja është bërë në Kosovë, pa u konsultuar diaspora dhe ekspertët e shumtë nga diaspora. Me fjalë të tjera: në vendimet kryesore, diasporës i mohohet e drejta e participimit politik. Si kur është fjala te statusi i saj, te institucionalizimi i saj e deri te proceset e vendimmarrjes. Zgjedhjet e fundit në Kosovë, prej të cilave është përjashtuar e tërë diaspora, janë sinjale irrituese në drejtim të diasporës. Asgjë, dhe as arsyetimi me shpenzimet e larta, nuk e arsyeton këtë hap të njëanshëm të Qeveris së Kosovës, i cili përjashton nga e drejta e vendimmarrjes gati 10% të qytetarëve të saj.

Diaspora nuk do më premtime, por veprime

Moskyçja në proceset e rëndësishme shoqërore është gabim i madh, sepse me këtë krijohet dhe forcohet bindja te mërgimtarët se Kosova dhe trojet e tjera prej nga vjen mërgata shqiptare janë të interesuara vetëm në kapitalin e mërgatës dhe jo për t’i trajtuar ata si qytetarë me të drejta.

Respekti ndaj rolit të diasporës është prezent në fjalimet e të gjithëve, e sidomos të politikanëve, por kur mërgata i drejtohet Qeverive të vendeve të tyre për zgjidhjen e problemeve praktike ata ngushëllohen me fraza boshe politike, të cilat më askush nuk u beson. Mërgata do prej shteteve amë kyçje në proceset politike dhe shoqërore. Ajo pret përkrahje në financimin e projekteve të cilat do të ndihmojnë mërgatën, që gjeneratat e ardhshme të rriten dhe të edukohen edhe në frymën e vlerave kombëtare.

Problemi i sigurimeve për automjete në kufi të Kosovës e tregon në mënyrë simbolike këtë revoltim ndaj shtetit amë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet se si një shumë kaq modeste prej 50 euro i zgjon aq shumë gjakrat e mërgimtarëve.

* Autori është bashkudhëheqës i Sindikatës Unia në Berner Oberland dhe anëtar i Komisionit për Migracion në qytetin e Bernës. Referati është mbajtur me rastin e tryezës-debatit në Lausanne VD, më 31 maj 2011.