Portrete të firmave
Furra “Argjendi”, traditën gjakovare të gatimit e sjell në Vjenë
Furra “Argjendi” në Thaliastrasse 64 është një ndër furrat më të reja në qytetin e Vjenës. Por, kjo furrë nuk është e re edhe për nga përvoja dhe tradita e gatimit. Furra “Argjendi” ka një histori shumëvjeçare me zanafillën e saj në qytetin e bukur të Gjakovës
Shefqet Fetahu ishte një bukëpjekës shumë i njohur dhe i dashur në Gjakove dhe vinte nga një familje hasjane me traditë të lashtë gatimi. Gjithë jetën ai ia dedikoi profesionit të bukëpjekësit.
Shefqeti, bashkë me familjen udhëhiqnin furrën “Pashtriku” në Gjakovë deri në fund të viteve 80-a. Më pas, furra “Pashtriku” u shndërrua në furrën “Argjendi”, e cila vazhdon veprimtarinë e saj sot edhe asaj dite në Gjakovë.
Dy motrat Fetahu, vazhdojnë trashëgimin e biznesit familjar edhe në Vjenë
Kjo furrë, e cila akoma ngelet vatër e adhuruesve të byrekut në Gjakovë, vazhdon traditën e saj me produkte të shijshme dhe tradicionale. Përveç byrekut të veçantë, një ndër produktet që ngjall më së shumti nostalgji te konsumatorët e furrës është toplia, një specialitet i veçantë i bukëpjekësit Fetahu. Në tetor të vitit 2022, vajzat e z. Fetahu, zonjat: Sadete Fetahu dhe Sinavere Fetahu vendosën të vazhdojnë trashëgiminë familjare dhe të hapin furrën “Argjendi” edhe në Vjenë.
“Qëllimi kryesor i hapjes së furrës në Vjenë ishte vazhdimësia e traditës familjare si dhe zgjerimi i biznesit edhe në Evropë, përkatësisht në Austri”, thekson për albinfo.at Sadete Fetahu.
Të dy motrat, këtë biznes e kanë hapur nga pasioni për vazhdimin e traditës familjare, por profesionet e tyre janë krejtësisht të tjera.
Sadete Fetahu është arkitekte e diplomuar dhe “Bauträger” (ndërmarrëse). Ajo që prej 6 vjetësh ka themeluar dhe firmën “Argjendi Bauträger” me të cilën ushtron profesionin e saj si ndërmarrëse në Vjenë.
Ndërkohë motra e saj, Sinavere Fetahu, është inxhiniere e dizajnit, profesion ky të cilin e ushtroi me vite në Dallas të Amerikës. Ajo u shpërngul nga SHBA dhe u vendos në Vjenë.
“Ne jemi rritur në familje me biznesin e furrës. Sa herë që bisedonim me motrën (v.j. Sadeten), qëllimet ishin të qarta. Çështja ishte vetëm ku dhe kur do të hapnim këtë biznes. Definitivisht Vjena ishte vendi më i duhur. Kjo për shkak të diversitetit të popullsisë dhe klientëve që njohin këto produkte”, thotë Sinavere Fetahu, e cila tregon edhe për ambientimin e shpejtë në kryeqytetin austriak. “Vjena të ofron një ngrohtësi ambientimi. Të bën menjëherë për vete. Për mua ka qenë përparësi shtesë, sepse këtu kam një pjesë të madhe të familjes për të cilët kisha mall t’i shihja nga Dallasi i largët. Aq me tepër se Vjena është afër edhe me vendlindjen dhe mund ta vizitosh sa herë që ndjen mall për të”, shton ajo.
Cilat janë produktet kryesore në furrën Argjendi?
Në furrën “Argjendi” në Vjenë, përveç produkteve të shtëpisë, të cilat prodhohen edhe në Gjakovë, siç janë byreku, toplia, buka si dhe kifle të ndryshme, mund të gjeni edhe produkte të shijshme austriake. Të preferuarat e konsumatorëve janë pa dyshim byreku, trileqja e shijshme gjakovare si dhe produkti më i ri – “Chicken Tortilla”.
Ndonëse është shumë herët të flasin për arritjet si biznes, dy motrat Fetahu, janë të kënaqura me punën e tyre dhe mbi të gjitha me vlerësimin e përditshëm që marrin nga konsumatorët e tyre.
“Ne për një kohë shumë të shkurtër njihemi si një ndër furrat me të preferuara shqiptare në Vjenë, dhe kjo na lumturon dhe na jep një vullnet të paevitueshëm për të dhënë ende me shumë nga vetja”, potencon Sadetja.
Çka e bën këtë furrë të veçantë?
Furra “Argjendi” në Vjenë është një oazë, e cila në vete ngërthen një traditë të bujshme të gatimit dhe një zell të veçantë për punën. Në çdo cep mund të vërehet dashuria dhe pasioni me të cilën punohet në këtë furrë. Duke filluar nga dizajni i brendshëm i ambientit, i cili të jep ngrohtësi dhe rehati, për të vazhduar me qasjen dhe mikpritjen e veçantë që ka i gjithë stafi i furrës ndaj konsumatorëve.
“Pa dyshim, më e veçanta e kësaj furre është aroma dhe shija e shkëlqyer e produkteve, e mbi të gjitha ajo e byrekut”, thekson Sinavere Fetahu.
Në furrën “Argjendi” punojnë 6 punëtorë, ndërsa ka një diversitet të lartë konsumatorësh, duke pasur parasysh që edhe produktet të cilat ofrohen përfshijnë shije nga me të ndryshmet. Përveç shqiptarëve, grupi më i lartë i konsumatorëve janë austriakët, turqit dhe ballkanasit.
Në planet e ardhshme, hapja edhe e një lokacioni tjetër
Duket se “treni” i nisur i këtij biznesi nga motrat Fetahu nuk do të ndalet vetëm në një stacion. Ato kanë për qëllim të zgjerojnë këtë biznes edhe me një lokacion të ri, por parakusht për to është, t’i qëndrojnë besnik traditës dhe kualitetit.
“Ne tashmë kemi marrë shumë kërkesa nga klientë tanë që të hapim një lokacion të dytë, sidomos në “bezirket” periferike dhe natyrisht që ky është edhe qëllimi ynë. Gjithsesi, për ne është shumë e rëndësishme që t’i qëndrojmë besnikë traditës dhe kualitetit tonë. Andaj hapja e një lokacioni tjetër do të vijë atëherë kur ne mund të sigurojmë qëndrueshmërinë e këtyre dy kritereve të padiskutueshme”, theksuan të dy motrat, Sadete dhe Sinavere Fetahu.
U larguam nga furra “Argjendi” me dëshirën me të mirë për punë dhe mbarësi në këtë biznes, ndërkohë urojmë që shembullin e motrave Fetahu ta ndjekin edhe shumë vajza dhe gra të tjera shqiptare në Austri dhe më gjerë, për të pasur guximin të marrin vetë përgjegjësi, që idetë e tyre t’i shndërrojnë në biznese të ndryshme.
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane