Lajme

Fundi i konfliktit në Kumanovë, 22 të vrarë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë e ka shpallur të mbyllur aksionin policor në Kumanovë, ndërsa njofton për 8 policë të vrarë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur

Më shumë se 20 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në luftimet që filluan dje ndërmjet në një lagje të Kumanovës, ndërmjet një grupi të armatosur shqiptarësh dhe forcave policore maqedonase. Pas disa orë përleshjes, duket e situata në këtë qytetet ka filluar të qetësohet.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë e ka shpallur të mbyllur aksionin policor në Kumanovë, ndërsa njofton për 8 policë të vrarë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur. Po ashtu siç deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, gjatë përleshjeve janë plagosur edhe 37 policë. Mirëpo nuk po jepen detaje se a ka civilë të vrarë gjatë përleshjeve në Kodrën e Trimave.

Ndërkohë, disa nga ata që janë dorëzuar në polici, sot janë paraqitur para Prokurorisë maqedonase, duke pritur vendimin paraprak gjyqësor.

Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka konfirmuar vrasjen e pesë policëve maqedonas gjatë aksionit policor që është zhvilluar të shtunën. Sipas saj, është eliminuar një nga grupet më të rrezikshme në Ballkan që kërcënonte stabilitetin e Maqedonisë.

“Të gjithë ata treguan vullnet të paparë dhe përkushtim për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë. Cak i sulmeve të grupit terrorist ishin institucionet shtetërore. Se sa është i fuqishëm ky grup dëshmon edhe rezistenca e tyre që ka zgjatur mbi 16 ore, aksioni do të ndalet, një pjesë e grupit janë dorëzuar ndërsa një pjesë vazhdon të bëj rezistencë. Një pjesë e grupit të armatosur janë nga Maqedonia dhe një pjesë kanë hyrë nga një shtet fqinj“, ka deklaruar Jankullovska.

Ndërkohë, edhe sot që nga ora 7 e mëngjesit në Kumanovë janë regjistruar të shtëna armësh dhe shpërthime të fuqishme. “Ka aktivitete në terren dhe do të ketë edhe për një periudhë kohore dhe në momentin kur do të kemi diçka për të thënë do të dalim me informata në opinion“, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Nga ana tjetër, partitë politike vazhdojnë me thirrjet për qetësi dhe përmbajtje nga provokimet që, sipas tyre, kanë për qëllim destabilizimin e vendit me pasoja të paparashikueshme për qytetarët e saj. Thirrje për qetësi kanë drejtuar edhe ambasadat e SHBA-së, BE-së dhe misionit të OSBE-së.

Ndryshe, mediat në Maqedoni raportojnë se Sami Ukshini, i njohur si Komandant Sokoli, Beg Rizaj, Dem Shehu dhe Muhamet Krasniqi- Komandant Malisheva, janë katër kosovarët që të shtunën mbrëma i janë dorëzuar policisë maqedonase, pas 16 orë luftimesh. Ndërsa policia ka informata se në konflikt është përfshirë edhe Mirsad Ndrecaj-komandant NATO.

Ndryshe, situata në Kumanovë konsiderohet e qetë, mirëpo të shtëna armesh janë dëgjuar edhe në zonat tjera të banuara me shqiptarë, në Haraçinë dhe Hotël. Pavarësisht këtij epilogu, situata e sigurisë në Maqedoni konsiderohet shumë e brishtë, madje disa nga analistët thonë se ky shtet, me këtë strukturë politike, nuk ka perspektivë.