Botë

Frikë nga protestat masive nëse qytetet europiane nuk trajtojnë turizmin masiv

Protestat në Spanjë do të përhapen, nëse zyrtarët europianë nuk arrijnë të trajtojnë efektin negativ të turizmit masiv në jetën e banorëve, tha Peter Debrine, drejtuesi i Programit të Turizmit të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

“Po kthehet në një situatë shumë të paqëndrueshme,” tha Debrine. “Përpjekjet për ndryshim që po mundohet të bëjë shoqëria janë shumë të rëndësishme, sepse në fund të fundit, zyrtarët shtetërore janë të zgjedhur prej tyre, kështu që ata duhet t’i përgjigjen asaj, që duan banorët e qyteteve të tyre.”

Ai përmendi si shembull ndalimin e anijeve të mëdha turistike në Venecia, Itali, në vitin 2021.

“Njerëzit dolën në rrugë për këtë çështje,” tha ai. “Anijet e lundrimit nuk po kalojnë më nëpër Kanalin e Madh.

Masat që funksionojnë

Anijet e lundrimit tani ankorohen më larg nga Venecia, gjë që ndihmon integritetin strukturor dhe mjedisor të qytetit.

Por, pasagjerët e anijes ende vërshojnë me mijëra në rrugët e ngushta të qytetit. Venecia pritet të tërheqë rreth 540,000 pasagjerë të anijeve turistike këtë vit, një rritje prej 9% nga viti 2023, sipas Autoritetit Portual të Detit të Adriatikut të Veriut.

Në një përpjekje për të pakësuar turmat, Venecia zbatoi një taksë turistike prej 5 euro në ditët e pikut të këtij viti – një masë e cila, deri më tani, nuk ka funksionuar.

Ashtu si Venecia, banorët e Barcelonës kanë luftuar prej kohësh me popullaritetin global të vendlindjes së tyre. Çdo vit, numri i njerëzve, që thonë se turizmi i sjell përfitim qytetit zvogëlohet, ndërsa numri i atyre, që mendojnë se është i dëmshëm rritet, sipas një sondazhi të vitit 2023 me banorët e Barcelonës nga Këshilli i Qytetit.

Cilësia mbi sasinë

Interesat e vendasve dhe turistëve duhet të barazohen, tha Debrine.

Në një qytet, që vizitohet nga shumë turistë, mund të përqafohet strategjia për të tërhequr turizmin cilësor, kundrejt atij sasior, pra duke u dhënë përparësi turistëve të pasur.

Strategjia për të tërhequr turistët e pasur, filloi gjatë pandemisë Covid-19, kur shqetësimet e sigurisë dhe personelit bënë, që destinacionet në mbarë botën, të kishin një interes të shtuar për më pritur më pak turistë, por të pasur, në vend të më shumë prej atyre, që udhëtonin me kosto të ulëta.

Udhëtarët “cilësorë” ndihmojnë gjithashtu në korrigjimin e një problemi tjetër: turistët, që sillen keq.

“Problem për banorët, nuk janë vetëm numrat e vizitorëve, por është mënyra se si njerëzit po sillen,” tha Debrine. Spanjollët janë ankuar prej vitesh se, turistët pinë shumë, hedhin plehra, përfshihen në zënka dhe madje vrapojnë lakuriq nëpër rrugë.

Debrine tha se Amsterdami po eksploron politika për të ndryshuar sjellje si këto.

Përveç pakësimit të autobusëve turistikë, dyqaneve turistike, hoteleve të reja dhe heqjes së qirave afatshkurtra, kryeqyteti holandez nisi një fushatë udhëtimi në vitin 2023, duke u thënë disa vizitorëve – domethënë turistëve të rinj britanikë – të “qëndrojnë larg” nëse janë duke udhëtuar në qytet për drogë apo festa.

Thirrjet për pakësim dhe kufizim të turizmit

Grupet civile po bëjnë thirrje, që zyrtarët e Barcelonës të zbatojnë një sërë politikash, që synojnë vendosjen e ‘pakësimit dhe kufizimit të turizmit’ – domethënë, taksa më të larta të turizmit, kufizime në anijet turistike dhe kufizime në qiratë e banesave afatshkurtra.

Por, vetë turistët gjithashtu luajnë një rol në frenimin e turizmit masiv, tha Debrine.

“Ne duhet të jemi më të vetëdijshëm në vendimet tona të udhëtimit,” tha ai, duke sugjeruar konceptin e “qyteteve pasqyrë” si një metodë alternative, pra të vizitohen qytete të tjera të ngjashme me qytetet ku ka turizëm masiv. / CNBC