Tematike

Frika për identitetin shtyn Zvicrën nga e djathta

“Frikë, barrikadim, Köppel”. Këto janë fjalët që në mënyrë të përmbledhur  dalin nga komentet e shtypit botëror lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën në Zvicër. “Köppel” në këtë radhitje fjalësh i atribuohet politikanit të SVP-së, Rogger Koppel, shefit të javores djathtiste “Weltwoche”, i cili ka fituar në mënyrë spektakolare, duke marrë mbi 178 mijë vota, që është numri më i madh i fituar ndonjëherë në Parlamentin e Zvicrës.

Kështu, mediet e huaja, gati pa përjashtim, në raportimet e tyre e vënë theksin te “rrëshqitja nga e djathta” dhe te “frika e zviceranëve për identitetin e tyre“ si emërues të përbashkët për rezultatin e djeshëm. Ndërsa mediet gjermane e përmendin edhe “fenomenin Köppel” si tregues i lëvizjes së zviceranëve drejt të djathtës.
Kështu, gazeta “Die Welt” shkruan se “zviceranët vendosën nga frika prej rrezikimit të identitetit”. Edhe pse suksesi i SVP-së ka qenë i paralajmëruar, ai megjithatë ka befasuar, në dimensionin që ka ndodhur. Ky rezultat mund t`i ngarkojë edhe më tutje raportet në mes të Zvicrës dhe BE-së.

Ndërsa gazeta më e madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se “zviceranët e kanë fuqizuar forcat e tyre djathtiste në vend”. Ndërkohë që SVP ka përfituar nga kriza e refugjatëve në Evropë, “fuqizimi i ekonomisë si rezultat i forcimit të frangut i ka shkuar për shtati FDP-së. Mirëpo për sa kohë që dy partitë djathtiste, fituese të këtyre zgjedhjeve nuk janë në ujdi sa i përket çështjes së raporteve me BE-në, nuk mund të bëhet fjalë për një unifikim djathtist”.

Gazeta “Süddeutsche Zeitung”, te forcimi i kampit të djathtë sheh në rrezik “modelin e suksesit politik të vendit”. “Zvicra ka qenë një vend në të cilin kanë qeverisur të gjithë së bashku”, është stereotipi ndërsa praktika e tregon Konfederatën Helvetike prej kohësh si një model të populizmit të djathtë.
Për magazinën gjermane të lajmeve “Der Spiegel”, politikanët e SVP-së janë “populistët më të suksesshëm djathtistë të Evropës”. Në fokus të shkrimit të saj është deputeti i ri nga SVP, Rogger Köppel. Ai, në vitet në vijim mund të luajë një rol qendror në partinë e tij”, shkruan revista gjermane dhe shtron dilemën nëse FDP si fituese e dytë e zgjedhjeve në të ardhmen do të lidhet më fuqishëm me SVP-në.

Edhe gazeta britanike “The Gardian” e vendos suksesin e SVP-së në sfondin e numrit në rritje të refugjatëve dhe migrantëve në Evropë. Kjo temë ka preokupuar edhe Zvicrën përkundër faktit se ajo nuk është prekur në masë të madhe nga kriza”.

Gazeta franceze “Le Monde” shkruan se kjo fitore është dëshmi e presionit në rritje të të djathtës në Zvicër. Por ajo e relativizon këtë fitore duke theksuar se sistemi i demokracisë së drejtpërdrejtë e zvogëlon rëndësinë e saj.

Një javë pas fitores në zgjedhjet lokale në Vjenë të populistit të djathtë nga FPÖ-ja, Heinz-Christian Strache, tash edhe në Zvicër “ka ardhur ora e partive të djathta”, shkruan gazeta austriake “Die Presse”. “SVP-së i a ardhur për shtati edhe `gjendja klimatike ndërkombëtare`”. Si gjithmonë deri tash, kjo parti ka udhëhequr një luftë zgjedhore duke pasur në fokus armiqësinë kundër refugjatëve, të huajve dhe BE-së.

Ndërsa për gazetën spanjolle “El Pais”, SVP ka fituar pasi që ka ndjellë frikë te një pjesë e popullatës e cila druan se mund të humbasë standardin e lartë dhe identitetin nacional”.