Kosova

Frankfurter Allgemeine: “Ndërhyrjet e Grenellit ulën shkallën e fitores së Kurtit”

Michael Martens, në artikullin "Kurti fiton zgjedhjet në Kosovë pavarësisht ndërhyrjes së SHBA-së", në FAZ, flet për faktorët që ulën shkallën e fitores së VV-së, në krahasim me atë të vitit 2021

Zgjedhjet e djeshme parlamentare të Kosovës dhe rezultatet që sollën ato janë ngjarje me rëndësi në mediat perëndimore dhe sigurisht, në fokus edhe të mediave në gjiuhën gjermane, në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Shumica e gazetave dhe mediave elektronike të këtyre vendeve i kanë kushtuar hapësirë të konsiderueshme kësaj ngjarjeje dhe implikimeve të saj në situatën e brishtë në Kosovë dhe regjion, shkruan albinfo.ch.

Kështu, në gazetën e madhe gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) për zgjedhjet ka shkruar gjerësisht korrespondenti i gazetës për Evropën Juglindore, eksperti i njohur i regjionit, Micahel Martens. Ai, në artikullin me titullin “Kurti fiton zgjedhjet në Kosovë pavarësisht ndërhyrjes së SHBA-së”, përqendrohet më shumë në faktorët që ulën shkallën e fitores së VV-së, në krahasim me atë të vitit 2021. Dhe një ndër këta faktorë, sipas tij, është “përzierja amerikane” gjegjësisht ndërhyrjet e emisarit Grenell.

“Kryeministri Albin Kurti fiton në Kosovë, por humbet popullaritetin. I dërguari special i Trumpit, Richard Grenell, dëshiron që me çdo kusht ta heqë qafe atë.
Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat u shoqëruan me ndërhyrje të konsiderueshme amerikane, partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti mori më së shumti vota. Megjithatë, asaj iu desh të pranonte humbje të konsiderueshme në krahasim me rezultatin e katër viteve më parë. “Kemi fituar dhe do të formojmë qeverinë e ardhshme”, tha Kurti pak pas mesnate në Prishtinë. Ndryshe nga viti 2021, kur partia e tij “Vetëvendosje” mori më shumë se 50 për qind të votave, atij do t’i duhen partnerë koalicioni për ta arritur këtë. Dhe, nuk është e sigurt që ai do t`i gjejë ata”, shkruan Martens.

Fushata zgjedhore në Kosovë u shënua me ndërhyrje të shumta direkte nga i dërguari special i Donald Trumpit, Richard Grenell. Ai ka shërbyer si ambasador amerikan në Gjermani gjatë mandatit të parë të Trumpit dhe si përfaqësues special presidencial për ‘negociatat e paqes’ midis Kosovës dhe Serbisë,” transmeton albinfo.ch, duke cituar gazetën gjermane FAZ.

Në atë kohë, Kurti, i cili sapo kishte filluar mandatin e tij të parë si kryeministër i Kosovës, kundërshtoi përpjekjet e Grenellit për të përgatitur shpejt një ‘marrëveshje historike’ midis Beogradit dhe Prishtinës. Grenelli synonte ta paraqiste Trumpin si një pionier triumfues të një përparimi që BE-ja nuk kishte arritur prej vitesh me përpjekjet e saj ndërmjetësuese.

Grenell nuk e ka falur kurrë Kurtin për refuzimin e pranimit të një marrëveshjeje të lidhur me nxitim dhe jo të besueshme. Në atë kohë, ai realizoi me sukses rënien e Kurtit duke përdorur kërcënime për të bindur një parti të koalicionit të ndërpresë bashkëpunimin me Kurtin.

Edhe sot e kësaj dite, Grenell e ndjek politikanin kokëfortë të Kosovës me mospëlqim të thellë dhe dyshim të vazhdueshëm, i cili duket se është i ndërsjellë. Kurti ndoqi në mënyrë demonstrative konventën e emërimit të Demokratëve Amerikanë në Çikago në gusht, gjë që nuk e bën më të lehtë për të përballjen me ekipin e Trumpit. Pak para zgjedhjeve, Grenell, në disa deklarata të shpërndara përmes Platformës X, akuzoi Kurtin si të pabesueshëm në Uashington dhe se ka qenë gjithmonë antiamerikan . Edhe SHBA edhe NATO janë kundër Kurtit, tha Grenell.

Kur Kurti e komentoi publikisht këtë dhe pretendoi në mënyrë të rreme se marrëdhëniet mes Kosovës dhe fuqisë më të rëndësishme mbrojtëse të saj ishin më të mira se kurrë, Grenell reagoi sërish dy ditë para zgjedhjeve dhe i quajti deklaratat e kryeministrit të Kosovës “delirante”. Në fakt, marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më keq, korrigjoi Grenell.

Nuk mund të bëhen parashikime serioze për rrjedhën e mundshme të negociatave të ardhshme të koalicionit në Kosovë, sepse shumë kombinime janë të mundshme. Këtu përfshihet edhe formimi i koalicionit të partive të mëparshme opozitare, duke përjashtuar Kurtin, vazhdon gazeta.

Është ende e pasigurt nëse Grenell, si i dërguar i posaçëm i Trump, do të rifillojë idenë e tij të vjetër për një “shkëmbim toke” midis Kosovës dhe Serbisë, nëse në Prishtinë krijohet një qeveri që ai pëlqen. Por edhe nëse në javët në vijim formohet një qeveri në Kosovë – qoftë me apo pa Kurtin – ajo mund të ketë një jetëgjatësi të diskutueshme.

Në fillim të vitit 2026, Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë kreun e ri të shtetit sepse presidentes së Kosovës Vjosa Osmani po i skadon mandati. Duhen tri përpjekje (votime) për të bërë zgjedhjen. Nëse përpjekja e tretë dështon – qoftë për shkak të mungesës së shumicës ose për shkak të mungesës së një numri minimal deputetësh të pranishëm – parlamenti do të shpërndahet për zgjedhje të reja. Forcat politike që do të shtyhen në opozitë në javët në vijim mund të përpiqen të krijojnë një situatë të tillë brenda një viti.