Literaturë
Frankfurt, hapet panairi i librit, i pranishëm edhe shteti i Kosovës
Portreti i Ismail Kadaresë, i Dua Lipës, Rita Orës, Majlinda Kelmendit, janë “imazhi” i stendës, krahas librave
Panairi më i rëndësishëm i librit në Frankfurt është hapur të mërkurën, më 16 tetor, ku Italia rikthehet si Mysafire Nderi pas 36 vjetësh, përcjell albinfo.ch.
Në podiumin e ceremonisë së hapjes ishte Carlo Rovelli, shkencëtari me librin e tij më të shitur të momentit “Shtatë leksione të shkurtra fizike”.
Shkencëtari Rovelli në një intervistë të fundit me këtë rast në “Letture” të gazetës “Corriere della sera” bën një thirrje për botën e librit për të “pasur në vëmendje problemet serioze që shqetësojnë të gjithë: ndryshimet klimatike, luftërat, varfërinë”, si dhe një thirrje për sistemin shkollor, duke kritikuar hapësirën e vogël që i jepet kulturës së përhapjes së shkencës në shkolla.
Edhe Susanna Tamaro, në fjalimin e saj në Frankfurt, tërhoqi vëmendjen te drama e luftërave të vazhdueshme e do të ftojë njerëzit të ngrenë shikimin lart dhe t’i kthehen praktikimit të “habisë, mrekullisë dhe mirënjohjes”.
Një temë qëndrore e këtij panairi do të jetë përkthimi, sepse nuk mund të ketë njohje dhe shkëmbim kulturash pa përkthimin.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e cila atje është si përfaqësuese e botimeve të disa shtëpive botuese e institucioneve vendore, ka thënë ta ketë hetuar këtë. Krahas diplomacisë kulturore, ka numëruar edhe disa drejtime, kur ka folur për peshën e përfaqësimit.
“Vërehet një tkurrje e lehtë, e shoqëron vit pas viti jo vetëm Panairin e Librit në Frankfurt, por në të gjitha panairet anekënd botës. Periudha e internetit gradualisht e zëvendëson domosdoshmërinë e pranisë fizike. Sido që të jetë, nuk mungojnë asnjëherë shtetet që marrin pjesë tradicionalisht dhe shtëpitë botuese ndërkombëtare”, ka thënë Zeneli për KOHËN pak orë pas hapjes së shtandeve. Tri ditët e para të Panairit iu dedikohen profesionistëve të industrisë së librit, e prej të premtes deri të dielën hapet edhe për lexues.
Kosova ka vite që ka të njëjtën adresë në këtë ngjarje, vazhdon traditën e nisur qysh prej vitit 2002.
“Janë mbi 7500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në Panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shkruar Shoqata e Botuesve e Kosovës në njoftimin e afishuar në rrjete sociale.
Kosova “zë vend në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda e vende të tjera”.
“Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: ‘Buzuku’, ‘Koha’, ‘Faik Konica’, ‘Pema’, ‘Artini’, ‘Skanderbeg Books’, ‘Albas’, ‘Meshari’, ‘Magjia e Librit’, ‘Noa’, e të tjerë, si dhe institucioneve, si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës”, ka njoftuar SHBK-ja.
Panairi ka një qëllim esencial të cilin e ka ritheksuar SHBK-ja.
“Në ditët e para Panairi ka karakter profesional dhe vizitohet nga institucionet e librit mbarëbotërore për të komunikuar mbi industrinë e librit, ndryshimet dhe rëndësinë e ruajtjes së traditës thelbësore të dijes. Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi ‘Nobel’ dhe Panairi i Librit në Frankfurt”, ka shkruar SHBK-ja.
Kur Panairi të hapë dyert për lexues e vizitorë, shtandi i Kosovës do të aktivizohet edhe më.
“Në fundjavë, Panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore”, ka thënë Zeneli.
Portretet e Dua Lipës, Rita Orës, Majlinda Kelmendit, Pajtim Statovcit dhe ai bardhezi i Ismail Kadaresë, janë “imazhi” i stendës, krahas librave.
Zeneli ka numëruar disa anë të peshës së prezantimit në këtë ngjarjeje.
“Është Panairi më i Madh i Librit në botë dhe pjesëmarrja shërben në disa drejtime: si diplomaci kulturore, si prani e shtetit tonë po njëjtë si vendet e rajonit (Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Kroacia etj.) Si gjë e dytë, tradita pjesëmarrëse krijon edhe raporte e njohje me profesionistët e fushës. Si gjë e tretë, vizitat e diasporës janë gjithnjë të shumta dhe mirëmbajnë raportin e gjeneratave të reja me traditën krijuese të vendit prej nga vijnë”, ka thënë Zeneli të mërkurën.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve