Lajme

Francë: Lehtësimi i mundshëm i kufizimeve, nga mesi i prillit

Franca po përgatitet për një lehtësim të mundshëm të kufizimeve të koronavirusit nga mesi i prillit, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal.

“Do të përballemi akoma me kohë të vështira, është e vërtetë, por për herë të parë pas muajsh, kthimi në kushte më normale të jetesës është i mundshëm”, u tha Attal gazetarëve pas një takimi të kabinetit francez.

“Nuk është as një horizont i largët dhe as i pasigurt – është një horizont që po afrohet gjithnjë e më afër. Shpresojmë ndoshta nga mesi i prillit dhe jemi duke u përgatitur për të”, tha ai.

“Presidenti (Emmanuel Macron) na kërkoi të paraqisnim propozime që mund të lejonin një hapje të kujdesshme të vendit së shpejti”, shtoi tutje.

Më parë këtë javë, ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, tha se Franca do të mbajë masat e saj aktuale që synojnë të kufizojnë përhapjen e COVID-19, duke përfshirë një shtetrrethim gjatë natës, si një minimum për katër deri në gjashtë javët e ardhshme.

Masa të tjera tani në fuqi përfshijnë mbylljen e bareve, restoranteve, muzeve dhe vendeve të muzikës.